Shqiponja e Metës me Canën
Ish- kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana tashmë është “përjetësuar” në një film dokumentar, i cili tregon jetën dhe veprimtarinë e gjakovarit. Presidenti shqiptar e ka quajtur Canën personalitet të spikatur.
Kreu i shtetit, Ilir Meta ka shkruar në rrjetin social Facebook se Lorik Cana është ambasador i shkëlqyer i vlerave të mira sportive të shqiptarëve kudo në arenën botërore.
“Kapiteni legjendar i Kombëtares kuqezi, Lorik Cana, është padyshim një nga personalitetet e spikatura të futbollit tonë dhe një ambasador i shkëlqyer i vlerave më të mira njerëzore e sportive të shqiptarëve në botë”, ka thënë Meta.
Ai tha se jeta dhe karriera e tij, e përmbledhur mjeshtërisht në filmin dokumentar “Loriku” është jashtëzakonisht frymëzuese për rininë e fëmijët shqiptarë.
“I uroj suksese në angazhimin e ri me Fondacionin e tij në shërbim të fëmijëve e sportit. Faleminderit Kapiten për emocionet që na ke dhuruar me talentin tënd dhe për promovimin e Shqipërisë”, ka shkruar Meta.