Presidenti Meta kundër korrigjimit të kufijve
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta u është bashkuar zërave kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë. Ai tha se çdo tentativë për të imponuar modele të ndryshimit të kufijve do të cënonte stabilitetin e rajonit.
I pari i shtetit shqiptar është deklaruar lidhur me debatin mbi korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë të nxitur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Në një intervistë për “Albanian Daily Neës”, Meta ka deklaruar se dialogu Serbi-Kosovë nuk është ndërtuar për të ndryshuar realitetin.
“Dialogu Serbi-Kosovë është për të udhëhequr procesin e pranimit të realitetit, në emër të paqes e stabilitetit. Çdo debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi”, ka thënë ai.
Për Metën, marrëveshja që mendohet të arrihet mes palëve është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive dhe të ndihmojë frymën e bashkëjetesës, harmonisë dhe të shërojë ndjenjën e urrejtjes të mbjellë nga e kaluara.
Presidenti Meta theksoi se për Shqipërinë është i një rëndësie të veçantë respektimi i parimeve bazë të sanksionuar në Kartën e Helsinkit dhe të Parisit të OSBE-së për sigurinë në Evropë, veçanërisht parimi i mos-ndryshimit të kufijve.
“Çdo tentativë për të imponuar modele të ndryshimit të kufijve, jo vetëm do të cënonte stabilitetin e rajonit, por do të vinte në rrezik edhe frymën dhe parimet e BE-së për të cilat ajo është investuar nga themelimi i saj deri sot”, është shprehur Meta.