SHBA ka ndarë me presidenten Osmani vlerësimet e rrezikut për ushtarët amerikanë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë.
“Konfirmojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me Presidenten, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë, të cilët çdoherë kanë dalë në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe jetës së qytetarëve tanë”- tha këshilltari për media i presidentes Bekim Kupina në një përgjigje për Kallxo.com.
Kupina shtoi se SHBA asnjëherë nuk i ka shprehur presidentes qëndrim kundër hapjes të Urës së Ibrit.
“SHBA-ja asnjëherë, në takimet që kemi pasur, nuk i kanë shprehur Presidentes qëndrim kundër hapjes së urës, por thjesht kanë kërkuar bashkëpunim në përcaktimin e momentit më të përshtatshëm nga aspekti i sigurisë dhe ndërtim të një plani të përbashkët për zbatimin e hapjes së urës, që është në interes të të gjithë qytetarëve tanë” – tha Kupina për Kallxo.com më 14.08.2024.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 13.08.2024 se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”- tha ambasadori amerikan.
Ndërkaq, sa i përket dialogut në Bruksel, Kupina tha se presidentja Osmani e para është deklaruar që është kundër diskutimit të kësaj teme me Serbinë.
“Por, dialogu dhe koordinimi i hapur me aleatët e sigurisë, të cilët mbrojnë sovranitetin e Kosovës bashkë me ne, është i domosdoshëm”- tha zëdhënësi i Presidencës.
Ndër të tjera, pavarësisht zhvillimeve të fundit, Kupina tha se qëndrimi i presidentes nuk ka ndryshuar edhe sa i përket dialogut në Bruksel, edhe sa i përket dialogut të domosdoshëm me partnerët tanë të sigurisë.
“Qëndrimi mbetet i njëjtë”- tha ai, duke e përmendur qëndrimin e datës 01.08.2024 të presidentes Osmani se çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë.
”Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”- kishte shkruar Osmani.
Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kështu ka paralajmëruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“BE planifikon ta vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut”- ka thënë ai, në një përgjigje për KALLXO.com
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje.
Ai përmendi edhe takimin të cilin e ka pasur me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, më 13.08.2024.
“Me komandantin Ulutash diskutuam edhe për hapjen e urës kryesore në Ibër në Mitrovicë të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”- tha Kurti.
Ministria e Infrastrukturës në orët e mbrëmjes së 13.08.2024 ka publikuar raportin që vë në pah nëse Ura e Ibrit është mjaftueshëm stabile për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.
Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.
Zëvendësministri Hysen Durmishi ka thënë se raporti ka vënë në pah se Ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.
Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.
Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.
Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.
Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar kryesisht me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.
Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.