Rriten pensionet
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar me shumicë votash vendimin për rritjen e gjithë skemave pensionale.
Pas votimit të sotëm pensionet bazike janë rritur për 20 për qind, ato kontributdhënëse për 15 për qind dhe pensionet e punëtorëve të ndërmarrjes Trepça për 20 për qind.
Ministri i Financave, Bedri Hamza bëri të ditur se rritja do të jepet në mënyrë retroaktive prej periudhës 1 janar 2019.
Po ashtu, në këtë rritje sipas asaj që ka deklaruar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, do të përfshihen edhe pensionet invalidore dhe ato familjare që bazën e kanë në pensionet e moshës.
Hulumtimet e bëra nga institucione të ndryshme lidhur me gjendjen socio-ekonomike të qytetarëve, tregojnë se kategoritë e pensionistëve janë ato që përballen me shkallë të lartë të varfërisë./FaktePlus