Pensionistët e pakënaqur, por të pafuqishëm
Në Republikën e Kosovës, janë gati 204 mijë persona apo rreth 7 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë që marrin pensionet bazike të moshës, pensionet kontribut paguese, mandej pensionin invalidor, etj.
Hulumtimet e bëra nga institucione të ndryshme lidhur me gjendjen socio-ekonomike të qytetarëve, tregojnë se kategoritë e pensionistëve janë ato që përballen me shkallë të lartë të varfërisë.
Këto kategori në sytë e institucioneve në të shumtën e rasteve janë vënë vetëm para zgjedhjeve parlamentare ose komunale dhe rritja e pensioneve ndër vite është bërë vetëm në prag të zgjedhjeve.
Edhe sivjet planifikimi që pensionistëve kosovarë t’u dalin pensionet me rritje prej 15 deri 20 për qind në muajin janar, nuk do të ndodh. Dhe kjo për arsye se nuk është miratuar ende në lexim të dytë Projektbuxheti për vitin 2019.
Pensionistët e pafuqishëm, shteti thuajse nuk ka bërë asgjë
Kryetari i sindikatës së pensionistëve Sylejman Meta i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se gjithë kategoritë e pensionistëve nuk janë në gjendje të mirë dhe se institucionet deri tani nuk kanë treguar gatishmëri për të dëgjuar kërkesat e tyre.
“Në emër të sindikatës mund të them se pensionistët që nga mbarimi i luftës janë në gjendjen më të keqe dhe më të mjerueshme se sa gjithë kategoritë e tjera. Fakti që mesatarja e pensioneve prej mbarimit të luftës deri në këto vite del te jetë 77 euro, flet për gjendjen e pensionistëve. Fatkeqësisht jemi pleq dhe nuk mundemi të bëjmë grevë ose presion në ndonjë formë tjetër, sepse shteti deri tani thuajse nuk ka bërë asgjë për këtë shtresë e cila ka dhënë gjithçka për këtë vend”, ka thënë Meta.
I pari i sindikatës së pensionistëve thotë se edhe rritja e fundit që është planifikuar të bëhet për pensionistët në projektbuxhetin e ri, nuk është e kënaqshme.
“Edhe kjo nuk është e mjaftueshme, por nuk do ta kundërshtojmë. Ne kemi kërkuar që të ndryshohet skema pensionale dhe ligji aktual i skemave pensionale të tërhiqet. Për këtë kam aprovim e grupit parlamentar dhe prej të gjitha institucioneve dhe presim që ky ndryshim të ndodhë sa më shpejt”, ka thënë Meta.
Janë gati 204 mijë persona që marrin pensione, 45 mijë kontribut-pagues
Bazuar në të dhënat e institucioneve shihet se në Republikën e Kosovës janë gati 204 mijë persona apo rreth 7 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë, që marrin pensionet bazike të moshës, pensionet kontribut paguese, mandej pensionin invalidor, etj.
Drejtori Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Bahri Xhaferi tregon se në Kosovë saktësisht janë 203mijë e 908 persionist.
Prej tyre, 126 mijë e 888 janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, e që marrin nga 75 euro në muaj. Ndërsa 45 mijë e 391 persona janë pensionist kontribut-pagues, e që ndahen në katër kategori, të cilët marrin nga 158 deri në 230 euro në muaj në bazë të përgatitjes shkollore.
Drejtori Xhafer thotë se në kategoritë e pensionistëve janë edhe të verbërit, gjithsej 2 mijë persona, të cilët ndahen në dy kategori dhe se ata paguhen nga 125 euro deri në 250 euro.
Po ashtu nga buxheti i shtetit paguhen edhe 29 mijë e 86 pensionist të kategorisë familjare, ata që janë përfitues të pensionit invalidor.
Nga buxheti bëhet edhe kompensimi i personave paraplegjik dhe tetraplegjik dhe pensionet për këto kategori sillen 75 euro deri në 150 euro.
Kujtojmë se prej kur kanë nisur të jepen pensionet, fillimisht shuma e ka qenë 45 euro në muaj për personat mbi 65 vjeç, kurse ata që kanë paguar kontributet kanë marrë 85 euro në muaj. Më pas janë rritur në 60, respektivisht 112 euro.
Ndërsa në vitin 2016 është bërë kategorizimi i pensionistëve në bazë të përvojës së punës, nivelit arsimor dhe karakteristikat tjera, me çka edhe shuma e pensioneve ka ndryshuar në bazë të kategorisë.
Buxheti i Kosovës për vitin 2019, sipas projektimit aktual, pritet të arrijë vlerën 2.3 miliardë euro dhe me këto para paguhen edhe gjithë pensionistët e vendit./FaktePlus