Rrahim Hashimi i mbeti borxh edhe AKP-së, u largua me polici nga Grandi
Njeriu kryesor që ka tronditur opinionin publik në Kosovë gjatë këtyre ditëve është Rrahim Hashimi. Nënshkrimi i kontratës dhe marrja e lejes për ndërtimin e një spitali në hapësirat e QKUK-së, dyshohet se ka përfshirë në fajde, mashtrim dhe detyrim, një grup prej së paku 8 vetave. E Rrahim Hashimi dyshohet se mashtroi biznesmenin Faton Dalladaku, duke i thënë se duhet t’i jepen 200 mijë euro kryeparlamentarit, Kadri Veseli, për të marrë lejen e spitalit.
Rrahim Hashimi që u shfaq në disa pamje duke numëruar para që dyshohet se u morën me fajde, del të jetë person që posedon pronësi në të paktën 10 biznese, kështu të paktën thuhet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, pasi aty figuron si person që ka hise në katër biznese, statusi i të cilave tashmë është i shuar.
Hashimi mbi vete kishte edhe kompaninë “City Group”, që zyrat i kishte në qendër të Prishtinës, në Hotelin “Grand”.
Në hapësirat e këtij hoteli Hashimi me shokë ka zhvilluar biznes që nga viti 2015 deri në qershor të vitit të kaluar. Por, edhe nga këto zyra Hashimi nuk ishte dalë i pastër.
Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, që menaxhon aktualisht me Holetin “Grand” kanë treguar për FaktePlus se kompania “City Group sh.p.k.” e përfaqësuar nga Rrahim Hashimi i ka mbetur borxh Hoteli “Grand” 12 mijë e 763 euro.
“Kompania City Group sh.p.k. ka borxh ndaj ndërmarrjes Hotel Grand shumën 12 mijë e 763 euro. Qiraja mujore ka qenë 1 mijë e 830 euro”, kanë thënë nga AKP.
Në këtë institucion kanë treguar për FaktePlus se Rrahim Hashimi ishte larguar në vitin e kaluar nga Garndi me polici.
“Me datë 6 qershor 2018, kompania në fjalë është dëbuar me asistencë të policisë nga hapësirat që i ka shfrytëzuar, për shkak të mos pagesës së borxhit ndaj NewCo Grand hotel sh.p.k dhe lënda është dërguar në përmbarim”.
Sipas AKP-së, kompania City Group e përfaqësuar nga Rrahim Hashimi ka shfrytëzuar hapësirat afariste me qira në katin e parë të Grand Hotelit nga muaji shtator 2015 deri ne fillim te muajit qershor 2018.
(Rrahim Hashimi në zyret e “City Group” në Grand)
Rrahim Hashimi në “City Group” bashkë me Selim Pacollin
FaktePlus ditë më parë ka raportuar se Rrahim Hashimi, ka pronësi në të paktën 10 biznese. Në njërin nga këto biznese, Rrahim Hashimi ishte aksionar edhe me nënkryetarin e komunës së Prishtinës, Selim Pacollin.
E aktualisht sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës –ARBK, Pacolli është aksionar në biznes me Lirie Hashimin, e cila është bashkëshorte e të akuzuarit për fajde, Rrahim Hashimin.
Në këtë biznes, Selim Pacolli ka qenë ortak bashkë me pesë persona tjerë, drejtor i të cilës ka qenë Rrahim Hashimi. Por, aktualisht si aksionar i vetëm në këtë biznes rezulton se është vetëm Rrahim Hashimi.
Redaksia e FaktePlus ka provuar që të marrë një sqarim nga Selim Pacolli për lidhjet e tij me Rrahim Hashimin, por Pacolli deri më tash nuk ka dhënë asnjë përgjigje.
Bizneset që ka aksione Rrahim Hashimi janë të fushave të ndryshme.
Këto janë 10 bizneset e tij: “Kosova- Bet Sh.P.K” ; “Code Security Sh.P.K”; “Ëest Investigation & Advisory L.L.C.” “WEST FASHION POINT L.L.C.” ; “Movie House Milot & Eliot Pictures L.L.C.”;
“CITY – GROUP L.L.C.” ; “CITY BET L.L.C.”; “ËEST HEALTH & MEDICAL L.L.C.”; ËEST E.P.T. L.L.C.”; “ALBCAN SH.P.K.”.
Hetimet dhe arrestimi për fajde
Në muajin maj të vitit 2017, Rrahim Hashimi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkuar 100 mijë euro ryshfet për të lehtësuar hetimin në një rast penal. Më pas ai ishte liruar për t’u mbrojtur në liri.
Tani sërish Rrahim Hashimi është njëri nga të arrestuarit për fajde, mashtrim dhe detyrim, por me vendim të Gjykatës u lirua të martën.
Arsyeja e lirimit të tij është vjetërsimi i veprës penale e cila pretendohet se është kryer në vitin 2012.
Rrahim Hashimi u arrestua bashkë me Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, dhe tre të dyshuarit e tjerë Adil Thaqi, Mentor Maqani dhe Ilir Bojku.
Hashimi dyshohet se gjatë vitit 2012 bashkë me Ekrem Likën nëpërmjet Sami Nikës i kishin dhënë Faton Dalladakut fajde në vlerë prej 350 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj.
Sipas Prokurorisë, shuma të cilën Dalladaku detyrohej të paguante në emër të fajdesë ishte rreth 25 mijë euro në muaj./FaktePlus
(“City Group” në Hotelin Grand ).