Lidhja e nënkryetarit të Prishtinës me të akuzuarin për fajde dhe mashtrim
Nënshkrimi i kontratës dhe marrja e lejes për ndërtimin e një spitali në hapësirat e QKUK-së, dyshohet se ka përfshirë në fajde, mashtrim dhe detyrim, një grup prej së paku 8 vetave. E personi me emrin, Rrahim Hashimi dyshohet se mashtroi biznesmenin Faton Dalladaku, duke i thënë se duhet t’i jepen 200 mijë euro kryeparlamentarit, Kadri Veseli, për të marrë lejen e spitalit.
Rrahim Hashimi që u shfaq në disa pamje duke numëruar para që dyshohet se u morën me fajde, del të jetë person që posedon pronësi në të paktën 10 biznese, kështu të paktën thuhet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, e aty figuron si person që ka hise në katër biznese, statusi i të cilave tashmë është i shuar.
Një lidhje biznesore Rrahim Hashimi po del ta ketë edhe me nënkryetarin e komunës së Prishtinës, Selim Pacollin.
Nënkryetari Selim Pacolli i AKR-së, që ka vëlla njërin prej shqiptarëve më të pasur në botë, Behgjet Pacollin, është ortak me Hashimin në disa biznese.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës –ARBK, Pacolli është aksionar në biznes me Lirie Hashimin, e cila është bashkëshorte e të akuzuarit për fajde, Rrahim Hashimin.
Fillimisht, kompaninë “Ilyrian Power”, e cila merret me derivate të naftës, Selim Pacolli e kishte hapur me Rrahim Hashimin dhe vetëm ata të dy ishin hisedar, por më pas Hashimi e kishte autorizuar gruan si aksionare tek ky biznes.
Po ashtu Pacolli dhe Hashimi ishin bërë bashkë edhe për ta hapur një kompani të fuqishme me aktivitete të ndryshme të quajtur “City Group”, e që zyra ishte hapur në Hotelin Grand.
Në këtë biznes, Selim Pacolli ka qenë ortak bashkë me pesë persona tjerë, drejtor i të cilës ka qenë Rrahim Hashimi. Por, aktualisht si aksionar i vetëm në këtë biznes rezulton se është veç Rrahim Hashimi.
Redaksia e FaktePlus ka provuar që të marrë një sqarim nga Selim Pacolli për lidhjet e tij me Rrahim Hashimin, por deri më tash nuk ka dhënë asnjë përgjigje.
Bizneset që ka aksione Rrahim Hashimi
Rrahim Hashimi del të jetë person që posedon pronësi në të paktën 10 biznese, kështu të paktën thuhet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, e aty figuron si person që ka hise në katër biznese, statusi i të cilave tashmë është i shuar.
Bizneset në të cilat Hashimi ka aksione janë të fushave të ndryshme.
Këto janë 10 bizneset e tij: “Kosova- Bet Sh.P.K” ; “Code Security Sh.P.K”; “Ëest Investigation & Advisory L.L.C.” “ËEST FASHION POINT L.L.C.” ; “Movie House Milot & Eliot Pictures L.L.C.”;
“CITY – GROUP L.L.C.” ; “CITY BET L.L.C.”; “ËEST HEALTH & MEDICAL L.L.C.”; ËEST E.P.T. L.L.C.”; “ALBCAN SH.P.K.”.
Hetimet dhe arrestimi për fajde
Në muajin maj të vitit 2017, Rrahim Hashimi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkuar 100 mijë euro ryshfet për të lehtësuar hetimin në një rast penal. Më pas ai ishte liruar për t’u mbrojtur në liri.
Tani sërish Rrahim Hashimi është njëri nga të arrestuarit për fajde, mashtrim dhe detyrim, por me vendim të Gjykatës u lirua të martën.
Arsyeja e lirimit të tij është vjetërsimi i veprës penale e cila pretendohet se është kryer në vitin 2012.
Rrahim Hashimi u arrestua bashkë me Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, dhe tre të dyshuarit e tjerë Adil Thaqi, Mentor Maqani dhe Ilir Bojku.
Hashimi dyshohet se gjatë vitit 2012 bashkë me Ekrem Likën nëpërmjet Sami Nikës i kishin dhënë Faton Dalladakut fajde në vlerë prej 350 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj.
Sipas Prokurorisë, shuma të cilën Dalladaku detyrohej të paguante në emër të fajdesë ishte rreth 25 mijë euro në muaj./FaktePlus