Agron Shala, “QUO VADIS, AIDA?”… QUO VADIS, KOSOVË?
Agron Shala
Miku im Shefqet Gjocaj, në një intervistë të para ca viteve ka thënë: “Krijuesit që moti e kanë humbur garën me ‘aktivistët’ që prodhojnë kinse art e kulturë, për të qenë IN, e në fakt merren me dokrra (për të mos thënë pordha), të cilat i shesin si art”.
Kjo thënie më kujtohet shumicën e herëve që “arti” nga Kosova prezantohet në Beograd. E, sa herë ndodhë ky prezantim, duhet kujtuar edhe atë që këngëtari serb Gjorgje Ballasheviq ka thënë në romanin e tij “Tre shokë të pasluftës”, ku për shqiptarët ndër të tjera flet për një popull pa balerina e violonçelistë, pra inferiorë ndaj serbëve edhe në aspektin kulturor…
Arti nuk bëhet që të jesh IN; arti nuk është dokërr e aq më pak tallje apo onanizëm; artisti nuk është ai që shtiret, që flet për vete, që bën lajme bosh e që punë primare e ka përmbylljen e një projekti, e jo rezultatet e as pasojat që ai projekt mund t’i ketë. Ndaj, ecejaket nga Kosova në Serbi përforcojnë bindjet e Ballasheviqit, krijojnë ca kuazi-protesta në Beograd, e ato protesta ca heronj fiktivë tek shqiptarët, e mbi të gjitha pasqyrimin e Serbisë si shtet ligjor që mbron “artistin”, që e mbron shqiptarin! “Askush nuk do t’ju lëndojë!”, kështu u ka thënë edhe gjenerali Ratko Mlladiq, boshnjakëve myslimanë të Srebrenicës; kështu ka thënë njeriu që nga Tribunali i Hagës është shpallur fajtor për krime lufte, për krime kundër njerëzimit dhe për gjenocid. E, një muaj para se të ndodhte gjenocidi në Srebrenicë, presidenti i tashëm i Serbisë, “mbrojtësi” Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar si i tërbuar në Kuvendin e Serbisë: “Vriteni një serb, ne do t’i vrasim njëqind myslimanë”!
Arti është e vërteta dhe e vërteta për gratë e Srebrenicës dhe për 8732 fëmijë, burra, vëllezër, kushërinj e fqinj të masakruar, është ajo që mbrohet nga regjisorja Jasmila Zhbaniq (fituese e Ariut të Artë me filmin “Gërbavica”, në Festivalin e 56-të Ndërkombëtar të Filmit në Berlin). E vërteta është se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi, në dekadën e fundit të shekullit XX (në Evropë, siç theksohet në fillim të filmit), e jo ajo e “vërteta” që e projektonte Mlladiqi me kameramanët e tij në tokat e pushtuara, të cilën e beson ende shumica e atyre që e mbajnë në pushtet Vuçiqin – mjeshtrin e propagandës së Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. E vërteta nuk ishin copat e bukës e të çokollatës që forcat serbe ua jepnin boshnjakëve para kamerave, por plumbat që pamëshirshëm goditnin civilët e pafajshëm të popujve që ata i luftonin.
Mlladiqi është shprehur se “nuk ka asgjë kundër të pafajshmëve”, por për forcat serbe të pafajshëm nuk mund të ishin boshnjakët, kroatët apo shqiptarët. Të pafajshëm janë vetëm serbët e fajtorë ishin të tjerët, secili që e donte lirinë e nuk pranonte të jetë i nënshtruar dhe inferior. Fajtor ishte secili civil veç pse nuk ishte serb në tokën që ata e pretendonin; në tokën që duhej të banohej veç me të “pafajshëm” (gjë të cilën ditëve të fundit e shprehu Vuçiqi, me flamurin serb mbi hartën e Kosovës).
E kush i bëri këto të zeza?
Pas lirimit nga burgu, më 2000, shkrimtari dhe publicisti Halil Matoshi e vizitoi me të birin e tij shtëpinë në Mramor, ku ishin strehuar për afro dy muaj gjatë bombardimeve të trupave të NATO-s më 1999. Atë shtëpi, të cilën Armati i vogël e kujtonte si të tijën, tashmë e kishin djegur. “Kush na e ka kallë shpín?”, pyet ai. “Serbët”, përgjigjet Matoshi. Për disa “kozmopolitë” dhe “studiues” që mendojnë se e vërteta përherë është veç “ndryshe” dhe veç siç e thonë ata, e që kapen në detaje e nuk e shohin pamjen e madhe të së vërtetës, sidomos ndjenjat e të përvuajturve, përgjigja e duhur do të duhej të ishte: “E dogjën forcat e armatosura serbe”. Por, prej nga erdhën ato forca serbe? A pikën nga qielli? Jo, sepse në mesin e tyre ishin shokët e shkollës, fqinjët, miqtë e fëmijëve, nxënësit e tu… Këta i vrisnin më të dashurit e tu, e këtë e dëshmon filmi “Quo Vadis Aida?”. Këtë të vërtetë e përçon regjisorja, sepse “e Vërteta do t`ju lirojë” (Gjoni, 8:32). Por, kjo nuk vlen për Serbinë. Ndaj, nuk është çudi se pse vepra e Zhbaniqit po e nxit organizimin e atyre që ende nuk distancohen nga e kaluara, për ta ulur vlerësimin e këtij filmi në IMDb dhe në faqet tjera të filmit në internet.
Ngjarjet e filmit “Quo Vadis Aida?”, i bazuar në ndodhi e fakte të vërteta, zhvillohen në datat 11 dhe 13 korrik 1995. Pas pushtimit të Srebrenicës nga forcat serbe, popullata myslimane zhvendoset në fabrikën e baterive në Potoçar, ku ishin të vendosur anëtarët e batalionit holandez në kuadër të forcave “paqeruajtëse” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Personazh kryesor është përkthyesja Aida Sellmanagiq (rol i luajtur në mënyrë brilante nga Jasna Gjuriçiq – një rol që do të mbahet gjatë në mend). Ajo vuan, sepse si shumica e ndjen më të keqen, ndërsa është e paaftë për ta shpëtuar popullin e saj. Lufta e saj reduktohet te shpëtimi i tre anëtarëve të familjes së ngushtë – të burrit dhe dy djemve të saj. Është kjo një luftë përplot stres e tension, që nuk mund të mos bartet te shikuesi. Stresi vërehet në fytyrën, sjelljet, gjuhën dhe mendimet që i shpreh, në vrapin që nuk ndalet nëpër hapësirat e fabrikës së mbushur me katër-pesë mijë myslimanë të deportuar, të cilët e ndienin veten fatlumë që janë brenda një baze “nën mbrojtje” të OKB-së e jo si 25 mijë të tjerë që ishin jashtë rrethojave (pamjet e të deportuarve ta kujtojnë edhe luftën e fundit në Kosovë). Por, fati i kishte harruar të dobëtit; fati ishte në duart e më të fortëve: të Mlladiqit dhe të forcave të tij; të atij që me dy këmbë e shkeli Rezolutën 819 të OKB-së, të 16 prillit 1993, që Srebrenicën e shpallte “zonë të sigurt”, ku ndaloheshin sulmet e armatosura.
Forcat serbe hynë në Srebrenicë dhe menjëherë nisën t’i zhduknin gjurmët e myslimanëve. Kujtesën e tjetrit! Kujtesa është ajo nga e cila ka frikë edhe Aida, që djeg fotot familjare. Ajo djeg edhe ditarin e burrit të saj, sepse e vërteta ishte armiku i të shkelurve, i luftës së saj për të mbijetuar burrat e familjes. Kryesorja ishte të mbetnin gjallë, e që pastaj për çdo ditë, secili ta festonte ditëlindjen e tij e mbase të krijonte kujtesën e re… Por, të gjithë e dinë çfarë ndodhi. U vranë 8732 vetë. Aida mbeti vetëm, si shumë e shumë gra, nëna e motra të Srebrenicës.
“Quo Vadis, Aida?” e thotë edhe një të vërtetë tjetër, se sa organizatë burokratike është OKB-ja, një organizatë që kurrë nuk e ka zgjidhur një problem ashtu si duhet. Srebrenica pushtohet, por kundërpërgjigje nga OKB-ja nuk ka. Trupat holandeze shkelin rregullat ndërkombëtare, duke iu nënshtruar si pakurrizorë kërkesave morbide të forcave serbe.
Në fillim të filmit, gjenerali holandez Thom Karremans u premton krerëve myslimanë të Srebrenicës, se serbët do të tërhiqen nga mësymja në qytet, përndryshe do të bombardohen nga NATO. Por, nëse serbët futen në qytet, ai do të jetë përgjegjës, thonë nga pala që e ndjente të keqen. “Jam vetëm pianist”, pra lajmëtar, është përgjigja e Karremansit. “E pra ta qiftë pianisti ty nonën”, reagon kreu i myslimanëve, që vritet ndër të parët pas pushtimit të qytetit. Ta qiftë pra, sepse kjo është dëshmi se sa neglizhente ndaj luftës në Bosnje e Hercegovinë ishte jo vetëm OKB-ja, por edhe Bashkimi Evropian dhe NATO, derisa amerikanët nuk e morën iniciativën për ta zgjidhur problemin; kjo tregon se sa me fat ishim ne shqiptarët që në luftën e fundit e kishim ndihmën e Amerikës, ndihmë të cilën fatmirësisht e kemi ende. Sepse, një shtet që kërcënon (siç ndodh sot me kërcënimet ndaj Kosovës), frenohet veç nga këmbëngulësia amerikane.
Filmi “Quo Vadis, Aida?” është film kandidat për çmimin Oscar në kategorinë e filmit të huaj. Dhe, ka gjasa ta fitojë, sepse është një film i realizuar mirë, si në skenar, ashtu dhe në regji, lojë, fotografi… Është film që flet për padrejtësinë, për krimet që kanë mundur të ndalen, për dhembjen, e mbi të gjitha për forcën e gruas. Flet edhe për jetën që vazhdon, si dikur, në një paqe si mbi një fuçi baroti…
Për fund, më duhet ta përmendi një detaj: miku im i ndjerë, poeti Agim Mala, në një takim ishte mahnitur nga poezia rumune (fjala është për kohën e Nicolae Ceausescut). Një poet rumun i thotë se kur bilbilit ia verbon sytë, ai këndon më bukur. Kosova nuk është pa art e pa artistë, po e keqja është se “ajka”, ata “të famshmit” që krijojnë veç lajme e jo vlera, nuk e kanë verbuar këtë vend po e kanë shurdhuar. Prandaj, i shurdhëti nuk këndon; prandaj dokrrat shiten si art; prandaj Kosova nuk mësyn për Oscar!
Quo Vadis, Kosovë?