Qe katër muaj Afrim Loku pret të bëhet drejtor në Agjencinë e Kosovës për Akreditim
Po bëhen katër muaj që kur ka përfunduar konkursi dhe janë dhënë rezultatet për kandidatët që kanë konkurruar për drejtor në Agjencinë e Kosovës për Akreditim. Ani pse Komisioni për Vlerësimin e Kritereve me 25 tetor 2018 i kishte rekomanduar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tre kandidatët potencial për emërim në pozitën e drejtorit të AKA-s, ky rekomandim vazhdon të qëndrojnë në sirtarët e MAShT-it.
Në bazë të këtij rekomandimi, kandidati Afrim Loku rekomandohet si i pari, mandej vjen Rifat Morina i dyti dhe Naim Gashi është i treti në radhitje.
Për të kuptuar se pse po ndodh kjo vonesë Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka dërguar pyetje tek Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, por kjo e fundit nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Edhe kandidati i cili ka dalë i pari në rekomandimin e Komisionit Vlerësues të Kritereve testim, Afrim Loku, ka thënë për FaktePlus, se nuk e di pse po ndodhë kjo vonesë, pasi i gjithë procesi ka qenë transparentë dhe i rregullt.
“Për besë ndoshta pak e paqartë por me sa e di, sa kam informata, gjithë procesi dhe procedurat janë mbyllur, edhe pjesa e ankimimit të kandidatëve të cilët kanë qenë pjesë e kësaj gare. Tash nuk shoh asnjë arsye apo shkaku që duhet të kjo punë të prolongohet më tutje. Pres që të përmbyllet shpejt dhe të përmbushet një kriter i domosdoshëm që ka qenë, mendoj, kusht i ENQA-s dhe EQAR-it nga ana e Agjencisë së Akreditimit që për herë të parë pas katër viteve të vjen një drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Akreditim”, theksoi Loku.
Ai më tutje ka shtuar se ka qenë një proces transparent dhe shumë objektiv i monitoruar dhe i vlerësuar nga njerëz ekspert të fushave të caktuara.
Loku thotë se ai ka kryer të gjitha procedurat e vlerësimit me vlerësim maksimal.
“Ajo që është dashur të kryhet nga ana ime si kandidat është mbyllur, e kam përfunduar gjithë procesin, jam dalë mirë edhe me vlerësim, edhe me krejt. Unë nuk e kuptoj dhe nuk kam kurrfarë informatash pse duhet të prolongohet kjo punë kaq gjatë, pasi veç janë kryer të gjitha proceset dhe procedurat e përzgjedhjes së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Gjithçka deri në publikim të rezultateve ka qenë transparente, ka qenë objektive. Vet vlerësimi i komisionit ka qenë që unë të jem i pari, unë e vlerësoj vlerësimin e tyre dhe do të mundohem ta arsyetojë me punë vlerësimin e komisionit vlerësues që ka qenë pranë Ministrisë së Administratës Publike”, u shpreh Loku për FaktePlus.
I pyetur nëse është duke ndikuar dikush që ky proces të zgjatet dhe të emërohet ndonjë nga kandidatët që kanë dalë pas tij, Loku ka thënë se nuk ka informata, ani pse mund të ndodhë një gjë e tillë.
“Pozicioni është i ndjeshëm. Megjithatë, nuk kam informata për involvim apo influencim të ndokujt. Gjithmonë mund të ketë diçka mbrapa çdo procesi, është normale, ne po jetojmë në Kosovë. Por unë nuk besoj së paku duke e ditur ndjeshmërinë e këtij procesi i cili nuk më kontribuon as mua, as institucionit as MAShT-it, as institucioneve të arsimit të lartë që të bëhet zhurmë shumë, apo të ketë devijime të procesit në finalizim të tij, kur nuk kemi nevojë”, ka theksuar Loku.
Redaksia e FaktePlus ka kontaktuar të premten edhe me Naim Gashin, kandidatin tjetër, i cili në listën e rekomanduar nga Komisioni Vlerësues i Kritereve, në testim është renditur i treti, dhe që pretendon që ta zë këtë pozitë, por ai nuk ka dashur të flas.
Për këtë temë Fakteplus ka shkruar edhe më parë. Kujtojmë se burimet tona brenda MAShT edhe më herët kanë thënë se i gjithë procesi po zvarritet me të vetmin qëllim që kandidati i tretë me lobing të vije në krye të AKA-së.
Tashmë është publike se Kolegji ISPE dhe themeluesi i saj Avni Mazrreku për shantazhe e ndikime të drejtpërdrejta në AKA, janë akuzuar edhe më parë madje edhe nga zyrtarë të lartë publik si dhe nga vetë ministri i Arsimit./FaktePlus