Qarkullimi i autobusëve nga Prishtina tek qytetet tjera – drejtori i Stacionit të Autobusëve jep detaje
Faza e dytë e lehtësimit të masave që filloi më 18 maj parashihte që gradualisht të nisnin punën edhe autobusët e trafikut urban dhe ndërurban.
Megjithatë për kompanitë e transportit publik që ofrojnë shërbime të trafikut ndërurban pati paqartësi lidhur me “lejen e veçantë” që duhet ta kishin për të qarkulluar e si rrjedhojë këto tri ditët e para nuk pati shumë qarkullim.
Mëngjesin e ditës së sotme, Ndërmarrja Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve sh.a” në Prishtinë bëri të ditur se nga Stacioni do të fillojë qarkullimi i reduktuar në destinacionet: Ferizaj, Pejë, Prizren, Malishevë, Mitrovicë, Lipjan, Gjakovë, Rahovec dhe Gjilan.
I kontaktuar nga Agjencia e Lajmeve FaktePlus para disa minutash, Drejtori i Stacionit Luan Hoti tha se ka qenë të parapara 15 udhëtime për sot. Sipas tij, deri në atë kohë janë realizuar 10 udhëtime.
“Janë paraparë për sot 15 udhëtime e deri në këtë kohë janë realizuar 10. Shumica janë realizuar për në Prizren, gjithsejt 5. Udhëtime janë realizuar edhe për në Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Prizren, Malishevë, Mitrovicë, Lipjan, e Rahovec”, tha Hoti.
I pyetur për numrin e udhëtarëve, Hoti u shpreh se ka pasur pak udhëtarë.
“Në udhëtimet e sotme me sa kam parë ka pasur shumë pak udhëtarë që i kanë shfrytëzuar ato linja”, u shpreh Hoti.
Ndërsa duke folur për numrin e vogël të kompanive të transportit publik që i kanë shfrytëzuar linjat, ai thotë se ka të bëjë me një pakënaqësi të tyre.
“Mendoj se është një pakënaqësi e tyre me nje vendim të Ministrisë së Infrastrukturës. Është kompliku pak situata”, shtoi Hoti.
Ndërkaq, Ministria e Ambientit dhe Infrastrukturës përmes një vendimi që ka lëshuar, e ka qartësuar çështjen e autobusëve, duke lejuar qarkullimin e linjave ndër-urbane.
Në vendim parashihen edhe masat mbrojtëse që duhet t’i ndërmarrin kompanitë e transportit publik.
Autobusët duhet ta bëjnë dezinfektimin e hapësirës tri herë në ditë; të shfrytëzojnë 50 % të kapaciteteve të mjeteve duke respektuar distancën fizike; në një set ulësesh të mos e lejojnë më shumë se një person etj.
Kurse edhe udhëtarët duhet të kenë masa mbrojtëse.
E kufizimi i numrit të udhëtarëve është bërë problem që kompanitë e autobusëve ndër-urban të nisin punën, pasi thonë se nuk kanë llogari të nisin linjat me gjysmën e autobusit të zbrazët.
Kujtojmë se ndalimi i qarkullimit të autobusëve erdhi me arsyetimin se kështu do të ndikohet në parandalimin e përhapjes së Koronavirusit. Vendimi u mor nga niveli qendror, pra Qeveria e Kosovës dhe prej 14 marsit u reduktua qarkullimi i autobusëve dhe pak ditë më vonë u ndalua plotësisht.
Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ministritë e tjera ka hartuar planin për relaksimin e masave parandaluese ndaj koronavirusit të ndarë në 3 faza.
Aktualisht Kosova është në fazën e dytë që ka filluar sot dhe vazhdon deri në nisjen e fazës së tretë, e cila sipas planifikimeve hyn në fuqi më 2 qershor, raporton FaktePlus.
A kanë rifilluar punën autobusët ndërurban, flet drejtori i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë