A kanë rifilluar punën autobusët ndërurban, flet drejtori i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Në Kosovë prej dje ka hyrë në fuqi faza e dytë e lehtësimit nga masat e izolimit, të cilat ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Kështu nga dita e djeshme me vendim të institucioneve do të lejohet edhe qarkullimi i autobusëve ndër-urban, pas një ndërprerje prej dy muajsh të punës.
E sot disa kompani të autobusëve veçse kanë rifilluar me linjat e tyre të zakonshme, kështu thotë së paku drejtori i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Luan Hoti.
Drejtori i këtij stacioni që ka lidhje më të gjitha qytetet e Kosovës përveç që pohon se ka rinisur puna, nuk jep detaje se sa kompani dhe linja kanë rifilluar punën, meqë ka pasur deklarata nga kompanitë që nuk do të mund të rinisin punën me kushtet e përcaktuara nga institucionet.
“Çështja e ankesave, ne nuk merremi me këtë, ndërmarrja jonë vetëm jep shërbime, tjetër kush jep vendime. Mirëpo, sot ka rifilluar qarkullimi i autobusëve nëpër qytete tjera. Ka linja Prizren, Lipjan, Ferizaj e disa tjera”, tha drejtori Luan Hoti për FaktePlus.
Ndërkohë me nisjen e fazë së dytë lehtësuese disa kompani të autobusëve kanë deklaruar se nuk do të rinisin qarkullimin.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj ka thënë për FaktePlus se kompanitë e transportit ndër-urban po ballafaqohen me humbje të mëdha si pasojë e izolimit, ndërsa tani po ballafaqohen edhe me mungesën e rendeve të udhëtimit, të cilat lëshohet e vazhdohen çdo 3 vite nga Ministria e Infrastrukturës.
Kurtishaj po ashtu thotë se kanë kërkuar subvencionimin e kompanive për kohën e humbjes së punës së tyre gjatë kohës së pandemisë.
“Ne kemi bërë kërkesë dhe po presim edhe furnizim me rendin e udhëtimit sepse asnjë kompani nuk ka rend të udhëtimit ku kemi bërë kërkesë për të vazhduar rend të udhëtimit. Para se të fillohet puna të vazhdohet rendi i udhëtimit, të lirohen kompanitë nga pagesat për të paguar disa taksa dhe në fund nëse nuk janë të mundshme nëse nuk kryhen subvencionimi i kompanive, atëherë protestat janë të pa shmangshme”, ka thënë Kurtishaj, duke shtuar se kompanitë e udhëtimit nuk i rekomandon të dalin në punë pa pasur leje të plotë nga ministria.
Ndërkaq, Ministria e Ambientit dhe Infrastrukturës përmes një vendimi që ka lëshuar dje pasdite e ka qartësuar çështjen e autobusëve, duke lejuar qarkullimin e linjave ndër-urbane.
Këtë e bëri të ditur përmes një njoftimi Oda Ekonomike e Kosovës.
“Pas aktiviteteve të shumta, debateve e prononcimeve mediatike dhe takimeve të njëpasnjëshme në Odën Ekonomike të Kosovës, sot para pak minutave pranuam edhe vendimin nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit për të filluar puna në sektorin e transportit rrugor”, thuhet në një njoftim, përcjell FaktePlus.
Në vendim parashihen edhe masat mbrojtëse që duhet t’i ndërmarrin kompanitë e transportit publik.
Autobusët duhet ta bëjnë dezinfektimin e hapësirës tri herë në ditë; të shfrytëzojnë 50 % të kapaciteteve të mjeteve duke respektuar distancën fizike; në një set ulësesh të mos e lejojnë më shumë se një person etj.
Kurse edhe udhëtarët duhet të kenë masa mbrojtëse.
E kufizimi i numrit të udhëtarëve është bërë problem që kompanitë e autobusëve ndër-urban të nisin punën, pasi thonë se nuk kanë llogari të nisin linjat me gjysmën e autobusit të zbrazët.
Kujtojmë se ndalimi i qarkullimit të autobusëve erdhi me arsyetimin se kështu do të ndikohet në parandalimin e përhapjes së Koronavirusit. Vendimi u mor nga niveli qendror, pra Qeveria e Kosovës dhe prej 14 marsit u reduktua qarkullimi i autobusëve dhe pak ditë më vonë u ndalua plotësisht.
Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ministritë e tjera ka hartuar planin për relaksimin e masave parandaluese ndaj koronavirusit të ndarë në 3 faza.
Aktualisht Kosova është në fazën e dytë që ka filluar sot dhe vazhdon deri në nisjen e fazës së tretë, e cila sipas planifikimeve hyn në fuqi më 2 qershor, raporton FaktePlus.