Polemika për 28 Nëntorin, duhet apo jo të jetë festë zyrtare në Kosovë?
Po afrohet 28 Nëntori, dita e madhe e shqiptarëve e që ndryshe njihet edhe si Dita e Flamurit, dhe shënohet pothuajse kudo që flitet shqip.
Në këtë datë në vitin 1912 është shpallur pavarësia e shtetit shqiptar në katër vilajetet shqiptare.
Kjo ditë festohet edhe në Kosovë e institucionet shtetërore e kanë ditë pushimi.
Mirëpo, 28 Nëntori nuk bën pjesë në listën apo kalendarin e festave zyrtare të Kosovës, e që për këtë ka shumë zëra se a duhet apo jo kjo ditë të futet në këtë listë.
E një qëndrim të tillë e ka edhe historiani Frashër Demaj, i cili thotë se largimi i kësaj feste nga kalendari i festave është një gabim i madh.
“Edhe atëherë kur është marë vendimi për heqjen 28 Nentorit nga kalendari i festave zyrtarë është bërë gabim, për shkak se nuk do të duhej hequr se shqiptarët e kanë festuar 28 Nentorin edhe në momente kur janë kanosur edhe nga shteti Serb, dhe shteti jugosllav, ata kanë gjetur mënyrat dhe e kanë festuar”.
Demaj më tej sqaron se 28 Nëntori nuk është festë vetëm e Shqipërisë, por e të gjithë shqiptarëve, dhe se në vazhdimësi kanë kërkuar nga institucionet e shtetit që të kthehet kjo festë në kalendar.
“Më mirë do të ishte atëherë të rezonohej me logjikë dhe të mos largohej nga kalendari i festave zyrtare, sepse nuk cenonte askend mirë po ka pasur një periudhë kohore kur qeverit tona, ose institucionet tona kanë qenë plotësisht servile ndaj presionit ndërkombëtarë”.
E se 28 nëntori duhet të jetë festë zyrtare e thotë edhe Nasim Haradinaj nga Shoqata e Veteranëve të UÇK-së .
“Unë mendoj se pastaj nuk ka aspak logjikë mos futja e festës së 28 Nëntorit në listën e festave zyrtare sepse edhe në kohën kur ky 28 Nëntorë cka ky përcakton në ishim një komb, dhe ishte një fitore e përgjithshme e kombit tonë”.
Por, ndryshe mendon analisti Imer Mushkolaj, i cili thotë se duhet lënë anash emocionet e përkatësisë etnike të shumicës, pasi që Kosova ka ditën e saj të shpalljes së pavarësisë.
“Duhet lënë anash emocionet dhe ndjeshmërinë e përkatësisë etnike të shumicës, nuk besoj se është e nevojshme që kjo ditë të figurojë në kalendarin e festave zyrtare. Kosova e ka ditën e vet të shpalljes së shtetit të pavarur, që është 17 Shkurti. Nëse festohet 28 Nëntori, atëherë edhe serbët munden fare lehtë të kërkojnë që të festohet edhe festa nacionale e Serbisë, e që do të nxiste asociacione jo fort të këndshme në raport me të kaluarën jo shumë të largët. Vetëvendosja kur të vijë në pushtet mund të provojë ta ndryshojë ligjin përkatës, por nuk jam i sigurt se do të ketë sukses”.
Kujtojmë se për largimin e 28 Nëntorit nga lista e festave zyrtare qeveria e atëhershme është kritikuar ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje.
Albulena Haxhiu, asokohe kishte deklaruar Qeveria ka hequr dorë moti nga të gjitha vlerat kombëtare, dhe se me ardhjen e LVV në pushtet kjo ditë do të kthehet përsëri në kalendar si festë zyrtare.
Mirëpo, tani kur pritet që edhe pak ditë Vetëvendosje të jetë në Qeveri, asnjë nga zyrtarët e këtij subjekti nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.
Derisa 28 Nëntori nuk bën pjesë në kalendarin zyrtar të festave në Kosovë, aty ka data të tjera që shënohen me festë dhe ditë pushimi, por që shpeshherë janë konsideruar si të panevojshme.
Aktualisht shteti i Kosovës ka 11 festa zyrtare: Vitin e Ri, Krishtlindjet Ortodokse, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Pashkët Katolike, Pashkët Ortodokse, Ditën e Kushtetutës, Ditën Ndërkombëtare të Punës, Ditën e Evropës, Bajramin e Madh, Bajramin e Vogël, dhe Krishtlindjet Katolike./FaktePlus