Pas nisjes së hetimeve, punëtorët e Ramiz Kelmendit reagojnë në Facebook: Nuk i nënshtrohemi shefit
Pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë nisi hetimet ndaj biznesmenit Ramiz Kelmendi për deklaratat që votat e të punësuarve në kompaninë ELKOS Group do të shkojnë për PDK-në, reagime të menjëhershme erdhën edhe nga punëtorët e Kelmendit.
Punëtorët e ELKOS Group i dolën në mbrojtje shefit të tyre duke publikuar çdonjëri një shkrim në të cilin thonë se asnjëherë shefi i tyre, pra, Ramiz Kelmendi nuk ka pasur ndikim e as detyrim për t’ia vënë votën dikujt tjetër.
Madje në këtë shkrim që disa prej punëtorëve të ELKOS Gropu janë duke e shpërndarë mundohen të shpjegojnë se pronari i kompanisë (Ramiz Kelmendi), asnjhere nuk iu kishte kërkuar që të votojnë kundër bindjeve të tyre .
Shkrimi i tyre për mbrojtjen e shefit, vazhdon me atë se brenda kompanisë që e drejton Ramiz Kelmendi ka demokraci, dhe se shumë prej kolegëve të tyre kanë qenë kandidat për deputet nga partitë e ndryshme politike.
Ndërkohë që për nisjen e hetimeve gjatë ditës së sotme në dijeni nuk ishte protagonisti i kësaj cështje, Ramiz Kelmendi.
I kontaktuar nga Agjencia e Lajmeve FaktePlus, biznesmeni Ramiz Kelmend deklaroi se nuk kishte marrë asgjë zyrtare nga asnjë institucion i drejtësisë, lidhur me fillimin e hetimeve ndaj tij në cilësinë e të dyshuarit pasi ka kërkuar votën e të punësuarve të tij për PDK-në.
“Jashtë jam, duke i bërë disa analiza, e nuk e kam lexuar, nuk e di as përmbajtjen. Nga ju po dëgjoj edhe nga mediat”, ka thënë Kelmendi, shkruan FaktePlus.
I pyetur nëse u ka bërë presion të punësuarve të tij në kompanitë që ka në pronësi, Kelmendi ka thënë se gjithçka e rregullon ligji dhe ai i di të drejtat e tij dhe atë çka thotë ligji e Kushtetuta.
“Ligji e përcakton këtë, dihet çka përcakton ligji, çka përcakton Kushtetuta. Por nuk e di për këtë kush çka ka ndërmarrë, por unë e di ligjin, e di Kushtetutën, i di të drejtat e mija. Prandaj nuk e di këtë aktakuzë, nuk e kam lexuar sepse nuk kam marrë asgjë zyre”, ka thënë Kelmendi.
Gjatë fushatës zgjedhore, vetë Kelmendi ka publikuar në rrjetet sociale fotografi nga marketet e tij, duke thënë se po lobon tek punëtorët e tij, për ta votuar PDK-në.
Sipas tij, pas këtyre takimeve, janë dakorduar që ta mbështesin PDK-në dhe Kadri Veselin për kryeministër.
Përmes një komunikate për media Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion se, pas deklaratave publike të biznesmenit, R.K., i cili është duke kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij, me qëllim të favorizimit dhe votimit për njërën nga partitë politike të Kosovës, ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore, duke e iniciuar si rast paraprak penal, lidhur me veprën penale “Cenimi i paracaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 të KPK-së.
Po ashtu, kjo prokurori ka iniciuar edhe një rast tjetër për hetim, në bazë të qarkullimit të një video-incizimi, ku vërehet një person, i cili dyshohet se përmes një pakoje të shoqatës humanitare “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, është duke zhvilluar aktivitet politik në lidhje me Zgjedhjet Parlamentare.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e veprimeve përkatëse hetimore, me qëllim të sqarimit dhe identifikimit të personave të implikuar në këto raste.