Flet Ramiz Kelmendi: Unë e di ligjin, e di Kushtetutën
Biznesmeni Ramiz Kelmendi, ka deklaruar se ende nuk ka marrë asgjë zyrtare nga asnjë institucion i drejtësisë, lidhur me fillimin e hetimeve ndaj tij në cilësinë e të dyshuarit pasi ka kërkuar votën e të punësuarve të tij për PDK-në.
Përmes një komunikate për media Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se pas deklaratave publike të biznesmenit, R.K, (Ramiz Kelmendi) i cili është duke kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij, me qëllim të favorizimit dhe votimit për njërën nga partitë politike të Kosovës, ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore, duke e iniciuar si rast paraprak penal, lidhur me veprën penale “Cenimi i paracaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 të KPK-së.
Por, Kelmendi rreth këtyre hetimeve ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, të mos jetë në dijeni, pasi gjendet jashtë vendit për disa kontrolle mjekësore.
“Jashtë jam, duke i bërë disa analiza, e nuk e kam lexuar, nuk e di as përmbajtjen. Nga ju po dëgjoj edhe nga mediat”, ka thënë Kelmendi, shkruan FaktePlus.
I pyetur nëse u ka bërë presion të punësuarve të tij në kompanitë që ka në pronësi, Kelmendi ka thënë se gjithçka e rregullon ligji dhe ai i di të drejtat e tij dhe atë çka thotë ligji e Kushtetuta.
“Ligji e përcakton këtë, dihet çka përcakton ligji, çka përcakton Kushtetuta. Por nuk e di për këtë kush çka ka ndërmarrë, por unë e di ligjin, e di Kushtetutën, i di të drejtat e mija. Prandaj nuk e di këtë aktakuzë, nuk e kam lexuar sepse nuk kam marrë asgjë zyre”, ka thënë Kelmendi.
Gjatë fushatës zgjedhore, vetë Kelmendi ka publikuar në rrjetet sociale fotografi nga marketet e tij, duke thënë se po lobon tek punëtorët e tij, për ta votuar PDK-në.
Sipas tij, pas këtyre takimeve, janë dakorduar që ta mbështesin PDK-në dhe Kadri Veselin për kryeministër./FaktePlus