Nesër hapen shkollat: Si e shohin sociologët rikthimin e nxënësve në banka në kohë pandemie?
Dyert e shkollave do të hapen nesër. Por kësaj radhe në vend të përqafimeve dhe shtrëngimeve të duarve do të ketë maska dhe do të ruhet distanca.
Mirëpo kjo sado pak do të jetë shenjë e rikthimit të jetës në normalitet për nxënësit.
E ky rikthim po shihet problematik nga sociologu Besim Gollopeni.
Ai në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka folur për vështirësitë dhe pasojat e mësimit në pandemi.
Sipas tij, adaptimi me rregullat në kohë pandemie është i vështirë për çdo kategori të shoqërisë mirëpo, për fëmijët do të jetë akoma më e vështirë pasi ata nuk janë në gjendje ta kuptojnë situatën drejtë.
“Adaptimi me rregullat e reja në kohë pandemie (Covid-19) nuk është i lehtë për asnjë kategori të shoqërisë dhe kjo është akoma më e vështirë për fëmijët të cilët shumica nuk janë në gjendje ta kuptojnë drejt situatën ose nuk ju është sqaruar situata në të cilën po jetojmë nga prindërit e tyre.”, ka thënë Gollopeni për FaktePlus.
MSH tregon se si duken nga brenda shkollat që respektojnë masat anti-covid
Ai gjithashtu ka folur edhe se si do të ndikojë pandemia në marrëdhëniet shoqërore mes nxënësve.
“Kjo situatë do t’i kontribuojë distancës sociale dhe individualizimit në të ardhmen, mirëpo mbetet të tregojnë studimet më hollësisht. Por se do të ketë ndikim në sjelljet shoqërore e sidomos te fëmijët është e sigurt”, është përgjigjur Gollopeni.
Madje, ai thotë se nëse situata pandemike zgjatë shumë, atëherë do të krijohet një hendek në relacionet shoqërore dhe do të humbasin emocionet dhe ndjesia për njëri- tjetrin.
“A do të krijojë pandemia barriera mes nxënësve? Kjo varet se sa do të zgjatë, sa më shumë që zgjatë ekziston mundësia e krijimit të distancës sociale në mes tyre, humbjes së emocioneve dhe ndjesisë për njëri- tjetrin dhe krijon një hendek në relacionet shoqërore padyshim.”, është shprehur Gollopeni.
Ai, gjithashtu, ka bërë thirrje që të gjinden modalitetet më të mira se si të filloj një vit shkollor i mbarë dhe që të gjithë të jemi vigjilent në mbrojtjen e shëndetit publik.
“Duhet të gjinden modalitetet më të mira se si të filloj një vit shkollor i mbarë. Duhet të jemi të gjithë vigjilentë në mbrojtje të shëndetit publik.”, është shprehur ai.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës disa ditë më parë mori vendim që nxënësit t’i rikthehen bankave të shkollës, mirëpo jo të gjithë përnjëherë. Klasat 1, 2, 3, 4, 5, 6, 10 dhe niveli paashkollor do të fillojnë mësimin më 14 shtator. Ndërsa nxënësit e klasave 7, 8, 9, 11 dhe 12 do të fillojnë më 21 shtator./FaktePlus
IKSHPK: Çdo rast i dyshimtë te nxënësit do të hulumtohet dhe gjurmohet menjëherë