Mblidhet Këshilli Drejtues i AAK-së, shkak koalicioni i mundshëm me PSD-në
Ka nisur të mblidhet Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i cili po mbahet në zyrat e kësaj partie.
Mbledhja do të drejtohet nga kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj e që pika kryesore e diskutimit do të jetë një koalicion i mundur me partinë që drejtohet nga Shpend Ahmeti ( PSD).
Kujtojmë se sot i pari i kësaj partie, Shpend Ahmeti, është takuar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai ka thënë se kanë përafrim me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Kurse deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Kuçi ka thënë se lidhja e një koalicioni parazgjedhor me Partinë Socialdemokrate (PSD) tashmë gati është punë e kryer, por vulën pritet t’ia japin sot gjatë ditës organet më të larta të dy partive, pra Këshillat Drejtues.
LEXO EDHE:Kuçi tregon sa afër koalicionit parazgjedhor janë AAK dhe PSD
Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Kuçi ka thënë se pas dakordimit të liderëve të AAK-së dhe PSD-së, sot gjatë ditës do të mblidhet Këshilli Drejtues i AAK-së, i cili do të japë fjalën e tij për këtë bashkëpunim.
Kujtojmë se afërsia mes këtyre dy subjekteve politike ka qenë e dukshme dhe koalicioni parazgjedhor nuk është përjashtuar nga zyrtarët e partive edhe në deklarimet e mëparshme.
Partia Socialdemokrate fillimisht e votoi buxhetin e Kosovës duke plotësuar numrin e nevojshëm për votim në Kuvendin e Kosovës duke ndihmuar në njëfarë forme Ramush Haradinajn edhe për të mos u rrëzuar nga Qeveria.
Sekretari Organizativ i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një deklarim të fundit për medie ka bërë të ditur se preferon një koalicion parazgjedhor me Nismën, AKR-në dhe me AAK-në ose LDK-në, ose të gjitha këto parti bashkë./FaktePlus