Kuçi tregon sa afër koalicionit parazgjedhor janë AAK dhe PSD
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Kuçi ka thënë se lidhja e një koalicioni parazgjedhor me Partinë Socialdemokrate (PSD) tashmë gati është punë e kryer, por vulën pritet t’ia japin sot gjatë ditës organet më të larta të dy partive, pra Këshillat Drejtues.
Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Kuçi ka thënë se pas dakordimit të liderëve të AAK-së dhe PSD-së, sot gjatë ditës do të mblidhet Këshilli Drejtues i AAK-së, i cili do të japë fjalën e tij për këtë bashkëpunim.
Ai tha se pret që këtë koalicion parazgjedhor të miratojë Këshilli Drejtues, pasi që ka një pajtueshmëri të përgjithshme.
“Për këtë kemi dakordim. Organet e partisë, këshillat drejtues të dy partive e vendosin. Sot kanë takim këshillat drejtues të AAK-së dhe PSD-së që këtë dakordim të liderëve ta miratojnë. Nëse miratohet prej organeve të partisë atëherë është edhe marrëveshja e garantuar edhe hyn në fuqi për koalicion parazgjedhor. Vullneti i AAK-së është i mirë derisa janë dakorduar lidershipi. Po besoj që është i mirë. Do të shohim pasi që të miratohet cilat janë pikat ku kemi dakordanca”, ka thënë Kuçi për FaktePlus.
Kujtojmë se afërsia mes këtyre dy subjekteve politike ka qenë e dukshme dhe koalicioni parazgjedhor nuk është përjashtuar nga zyrtarët e partive edhe në deklarimet e mëparshme.
Partia Socialdemokrate fillimisht e votoi buxhetin e Kosovës duke plotësuar numrin e nevojshëm për votim në Kuvendin e Kosovës duke ndihmuar në njëfarë forme Ramush Haradinajn edhe për të mos u rrëzuar nga Qeveria.
Sekretari Organizativ i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një deklarim të fundit për medie ka bërë të ditur se preferon një koalicion parazgjedhor me Nismën, AKR-në dhe me AAK-në ose LDK-në, ose të gjitha këto parti bashkë./FaktePlus