Ky është numri i vajzave dhe grave të burgosura në Kosovë
Vepra të ndryshme penale, si vjedhje, vrasje, trafikim e mashtrim dhe krime tjera të ndryshme ndodhin çdo ditë në Kosovë. Për të gjithë ata që kryejnë këso vepra, shteti i Kosovës ka në dispozicion qendra korrektuese e të paraburgimit dhe një burg të sigurisë së lartë, ku të shkelësit e ligjit vuajnë dënimin e marrë nga gjykatat.
Edhe pse nuk është ndonjë numër i madh, në Kosovë ka edhe vajza e gra që janë gjykuar dhe tashmë po vuajnë dënimin për veprimet e tyre të kundërligjshme.
Nga gjithsej katër qendra korrektuese e gjashtë qendra të paraburgimit dhe një burg të sigurisë së lartë që funksionojnë në rang Republike, i vetmi që u është rezervuar femrave është ai i Lipjanit.
Zyrtari i lartë për komunikim me publikun në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Jeton Kabashi ka treguar për FaktePlus numrin vajzave dhe grave që aktualisht vuajnë dënimin “pas hekurave”.
“Numri aktual i të burgosurave femra është gjithsej 43. Nga ky numër, 33 janë të dënuara, 7 të paraburgosura dhe 3 janë me masë edukative”, tha Kabashi.
Ai bëri të ditur se arsyet për cka mbahen prapa grilave këto vajza e gra janë nga më të ndryshmet.
“Veprat për të cilat vuajnë dënimin të burgosurat femra janë, vrasje, vjedhje, grabitje mashtrim, trafikim me qenie njerëzore, posedim i substancave narkotike dhe vepra të tjera”, theksoi Kabashi.
Nga statistikat e ofruara prej Shërbimit Korrektues të Kosovës shihet se aktualisht numri i përgjithshëm i të burgosurve ka arritur në 1587 dhe ata po vuajnë dënimin nëpër qendrat e paraburgimit, qendrat korrektuese dhe burg.
Për të gjithë këta të burgosur shteti ka obligime dhe përgjegjësi. Në rrafshin monetar një i burgosur i kushton buxhetit të Shërbimit Korrektues të Kosovës rreth 28 euro në ditë.
“Një i burgosur i kushton buxhetit të Shërbimit rreth 28 euro në ditë, ku përveç ushqimit në këtë shifër përfshihen dhe kujdesi shëndetësor, higjienik e i sigurisë”, ka thënë Jeton Kabashi.
Burgu që më së shumti ka të burgosur, sipas Kabashit është Qendra Korrektuese në Dubravë, e cila është edhe qendra më e madhe në tërë Kosovën.
Kurse veprat për të cilat janë të dënuar të burgosurit kanë të bëjnë me vrasje e rëndë, vrasje, vjedhje e rëndë, vjedhje, dhunim, mashtrim etj.
Ditë më parë drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, gjatë raportimi para Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se qëllimi i qendrave korrektuese është që të burgosurve t’u japin programe rehabilituese në mënyrë që ata të mund t’i kthehen shoqërisë.
“Objektivi i ynë është që të burgosurit mos të kthehen në burgje. Ne shfrytëzojmë 17-18 milionë euro në vit, ndërkaq nuk fitojmë asgjë. Në kuadër të kësaj ne kemi hartuar projekte që janë të prekshme dhe po presim financimin e tyre. 80% të burgosurve tanë vijnë për herë të parë në burgje dhe ne duhet t’u ofrojmë programe rehabilituese në mënyrë që të jenë të gatshëm t’i qasen shoqërisë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër vërejtje të shumta për sistemin në qendrat korrektuese dhe për shërbimet shëndetësore që iu ofrohen të burgosurve kanë pasur anëtarët e këtij komisioni./FaktePlus