Kuvendi shqyrton pozitën e Milaim Zekës si anëtar i Komisionit Hetimor për PTK-në për konflikt interesi
Administrata e Kuvendit të Kosovës është duke shqyrtuar pozitën e deputetit Milaim Zeka në Komisionin Parlamentar Hetimor për Post-Telekomin e Kosovës, nëse është në konflikt të interesit apo jo. Kjo pasi ish kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie Agron Mustafa në raportimin para Komisionit Hetimor ka kërkuar largimin e Zekës nga të qenurit anëtar i Komisionit pasi përbën konflikt interesi, meqë sipas tij, ai ka marrë mijëra euro nga Telekomi me kompaninë e vet.
Shqyrtimin e kërkesës së Mustafës nga ana e administratës së Kuvendit të Kosovës, e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, edhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
“Po, mund të konfirmojmë se kjo kërkesë tashmë është duke u shqyrtuar. Lënda në fjalë është në pritje të shqyrtimit në administratën e Kuvendit”, ka thënë Krasniqi për FaktePlus.
Mirëpo, në rast se administrata e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht personat kompetentë pranë zyrës ligjore të Kuvendit nuk nxjerrin përfundime, atëherë lënda do të dërgohet edhe në Agjencinë Kundër Korrupsion për shqyrtim.
Shqyrtimin e pozitës së tij si anëtar i Komisionit Parlamentar Hetimor për PTK-në, e ka konfirmuar edhe vet deputeti Milaim Zeka për FaktePlus.
Madje, ai ka thënë se mund edhe të mos votojë fare në Komision deri në përfundimin e kësaj çështje. Megjithatë, në mbledhjen e djeshme të Komisionit ku kanë raportuar edhe persona tjerë për PTK-në, deputeti Zeka ka qenë i pranishëm në Komision dhe ka diskutuar.
“Unë e kam ngrirë pozitën time në këtë komision dhe mund të mos votoj fare për arsye të procedurës për konflikt interesi. Nuk do të marr pjesë në votimet e këtij komisioni deri në një vendim tjetër”, ka thënë Zeka.
Ndërsa, në anën tjetër Agjencia Kundër Korrupsionit ka thënë se ata çdo çështje e shqyrtojnë në bazë të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.
“Agjencia Kundër Korrupsionit në referim të çështjes së adresuar si më poshtë, ju njofton se konform mandatit të saj në aspekt të parandalimit të konfliktit të interesit, sipas Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, çdo situatë e shqyrton dhe trajton sipas Nenit 22 të Ligjit, duke respektuar konfidencialitetin gjatë gjithë zhvillimit të procedurës deri në rezultatin përfundimtar, ashtu siç parashihet edhe në paragrafin 6 të Nenit 22 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Me këtë rast, Agjencia për çdo informatë për situatë të konfliktit të interesit bashkëpunon dhe koordinohet me institucionet/autoritetet përgjegjëse, me qëllim të shqyrtimit dhe konstatimit sa më të drejtë”, thuhet në përgjigjën e AKK-së për FaktePlus.
Ndryshe ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa ka thënë se deputeti në Kuvendin e Kosovës, Milaim Zeka nuk mund të flas rreth gjendjes së Postës dhe Telekomit të Kosovës pasi që ai ka marr nga kjo ndërrmaje mbi 100 mijë euro.
Ish-kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa ka prezantuar një letër ndaj deputetit Milaim Zeka siç tha ai të deponuar në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe në Kuvend, madje ai ka kërkuar largimin e Zekës nga ky komision./FaktePlus