Shpenzimet e derivateve, këta janë deputetët e partisë në pushtet që nuk kanë marrë shtesa udhëtimi për të shkuar në punë
Para dy ditësh, në media janë publikuar emrat e dhjetë deputetëve që kanë shpenzuar më së shumti para nga buxheti i shtetit për mbulimin e shpenzimeve të karburantit.
Janë 67 deputetë të Kuvendit të Kosovës që kanë shpenzuar para të shtetit për karburante. 36 prej tyre janë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Por sot, janë publikuar emrat e deputetëve nga radhët e partisë në pushtet-VV-së, por të cilët nuk figurojnë në listën e atyre që kanë marrë shtesa udhëtimi për të shkuar në punë.
Në një grafikë të publikuar nga Kanal 10, janë paraqitur vendlindjet e deputetëve, siç janë regjistruar në Kuvend.
Në këtë grafikë janë të paraqitur 19 deputetë të cilët nuk kanë marrë asnjë cent nga buxheti i shtetit në periudhën nëntor-dhjetor 2021, pavarësisht atyre që jetojnë në Prishtinë, apo qytete më të largëta siç është Prizreni.
Ndryshe, të dhënat e publikuara dy ditë më parë kanë shkaktuar reagime të shumta në vend.
Për këtë, deputetët e VV-së, si shumicë parlamentare, vullnetarisht janë tërhequr nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Kusari Lila u ka bërë ftesë edhe deputetëve të partive të tjera opozitare që ta bëjnë të njëjtën gjë.
Nga LDK-ja çështjen e heqjes dorë nga benefitet si deputetë e shohin si vendim individual.
Ndërkaq, nga AAK-ja vlerësojnë se një praktikë të tillë i takon Lëvizjes Vetëvendosje ta ndal, pasi është shumicë.
Për këtë çështje ishte deklaruar edhe kryeministri i vendit Albin Kurti, i cili ka thënë se është detyrë e secilit që ta ruajë kuletën e shtetit.
“Është detyrë e secilit, si të zgjedhurit e popullit ashtu edhe shërbyesve civil, ta ruajnë kuletën e shtetit. Si Qeveri e kemi bërë këtë, si ulja e pagave për kabinetin qeveritar. Ne kemi ulur shpenzimet, pikërisht atëherë kur janë rritur të ardhurat, si në Doganë, ATK e në investime të huaja. Prandaj besoj që deputetët e zgjedhur duhet të jenë shembull për të gjithë dhe qytetarët me të drejtë presin edhe më shumë edhe më mirë prej tyre”, ka thënë Kurti në konferencë për shtyp.