Kuvendi gjatë vitit 2018, fyerje, akuza, banalitet e çka jo tjetër (Video)
Akuza, kundërakuza, sharje, fyerje e çka jo tjetër e përcollën punën e organit me të lartë ligjvënës në Kosovë, Kuvendit. Ndonëse, i kritikuar për punën e pakët, për mungesë përgjegjësie të deputetëve për shkak të mospjesëmarrjes në seanca, çka dështonin shpesh ato për mungesë kuorumi, salla plenare shpesh herë u shndërrua në arenë përplasjesh mes deputetëve, qeverisë, kryetarit të Kuvendit, e kryeministrit.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pati momente të shumta gjatë vitit 2018 kur u përplas me deputetët e opozitës, nga të cilët mori akuza të shumta, e në të njëjtën kohë ua ktheu.
Një moment tensioni në seancën për votimin e demarkacionit me Malin e Zi, Kadri Veseli u akuzua se i kishte sharë deputetët e opozitës. Por, në njërën nga seancat tjera, kjo bëri që të kishte një përplasje mes Veselit dhe deputetes së Vetëvendosjes, Drita Millaku.
Kjo e fundit i kishte thënë Veselit se nuk e ka dëgjuar atë ditë duke sharë se do kalonte ndryshe.
“Nuk i ke marr votat me na i sha robtë këtu. Shyqyr që nuk të kam dëgju atë ditë se qat gaz lotsjellës në gojë ta kisha shti”, i ka thënë Millaku, Veselit.
Në anën tjetër edhe Veseli ka replikuar me deputeten, të cilës i ka thënë se ka diçka personale me të pasi që shpesh po i kapet.
Haradinaj deputetëve të LDK-së, marre duhet me ju ardhë
Një përplasje e fortë në seancën kur po miratohej demarkacioni me Malin e Zi kishte ndodhur edhe mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetëve të LDK-së. Kjo për faktin se LDK kundërshtonte raportin e hartuar nga grupi i ekspertëve të formuar nga Haradinaj me në krye ish deputetin e LDK-së, Shpejtim Bulliqi.
Kjo e kishte nervozuar kreun e Qeverisë Ramush Haradinaj, i cili me ashpërsi ju drejtua deputetëve të LDK-së dhe ju tha se duhet t’iu vij marre.
“Ku po ju dhem, a bon me ditë, marre duhet me ju ardhë. Marre, jeni kundër raportit, ky raport po ju pengon, ku po ju dhem”, ju ishte drejtuar Haradinaj deputetëve të opozitës.
Një përplasje e kryeministrit Ramush Haradinaj kishte ndodhur edhe me nënkryetarin e Kuvendit, deputetin e PDK-së, Xhavit Halitin, në njërën nga seancat kur ishin në rend dite projektligjet për transforimin e FSK-së në ushtri.
“A je në gjum a qut, a je ka e sheh qa është ka ndodh me procedurë, njerëzit po thonë s`ki kartela qysh nuk kalon mocioni”, i kishte thënë Haradinaj nënkryetarit Haliti, teksa ky i fundit po udhëhiqte seancën.
E Haliti, menjëherë reagoi duke i thënë kryeministrit duke i thënë që të merret me punët e tij dhe të mos përzihej në punën e Kuvendit.
“A jam në gjum a çutë unë e di për veti, t’i kqyri punët e tua. T’i ki me prezantu ligjin unë kam m’i ndjekë procedurat dhe t’i s’mundesh me m’kallxu a po i ndjeki procedurat a jo, kqyri punët e tua. Ju i kini të gjithë kartelat dhe s’keni nevojë me bërtit hiq asnjë, as kryeministri nuk ka nevojë me m’mësu mu. Qeveria i ka punët e veta, Parlamenti të vetat. Ky ka m’i prezantuar ligjet, ne kemi mi votu ose mos m’i votu, nuk jam argat i qeverisë, as i kërkujt këtu”, ia kishte kthyer Haliti kryeministrit Haradinaj.
Haradinaj: 100 herë me më rrëzu, si maca në këmbë bie
Një përplasje tjetër e Haradinajt me deputetët e LDK-së kishte ndodhur edhe një seancë tjetër, kur kreu i Qeverisë iu kishte thënë se nuk mund ta rrëzojnë sepse është si maca, qysh do që ta gjuajnë ai prapë ngritet në këmbë.
“100 herë mem rrëzu si maca në këmbë bi. Me marr macen e me gju prapë në këmbë bite, por plot janë këtu që nëse rrëzoheni nuk qoheni më në këmbë. Edhe politikisht, edhe me zgjedhje, edhe m’u rrezua edhe m’u qu, për tema t ‘atdheut mane men, këtu më keni gjithë. Për që mendon dikush se ma devijon rrugën për tema të atdheut, gaboni, nuk mundeni”, kishte thënë Haradinaj.
Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2018 ishte shndërruar edhe një ambient ku fyerja dhe përdorimi i fjalëve jo parlamentare ishte bërë e zakonshme.
Përplasje me fjalor banal disa herë kishte pasur deputeti i Nismës Socialdemokrate Milaim Zeka, me deputetët e opozitës.
Zeka në njërën nga seancat e jashtëzakonshme të thirrur nga Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, i kishte fyer ata duke iu thënë atyre se e kanë kthyer prapanicën kah Beogradi.
“Ata qe mendojnë disa deputetë, se ne e kemi kthyer kokën kah Beogradi, nëse e kam kryet ka Beogradi, ju e keni kthyer prapanicën ka Beogradi”, ka thënë ai.
Kjo fjalë kishte shkaktuar reagimin e deputetëve të opozitës, por edhe të kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, i cili ia kishte ndalë mikrofonin.
“Ndalja mikrofonin, ndalja, nuk lejojë fyerjet në Parlament. Vetem për pushtet u bënë turp para qytetarëve, vetëm kur është fjala për pushtet”, kishte theksuar Veseli.
Zeka ishte protagonist edhe në shumë seanca tjera ku ishte përplasur me deputetët opozitare, e sidomos me shefin e deputetëve të Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Zeka-Konjufcës: Je psikpat, budall…
Deputeti Zeka në debatin për dialogun duke shndërruar fjalën e tij në humor por që thumbonte opozitën. Ai kishte thënë se Thaçi nuk mund ta futë në xhep kurrë atë, por disa deputetë opozitarë që ndjehen si krimb përballë presidentit Thaçi nuk mund të thonë se kreu i shtetit e ka futur mazhorancën në xhep, duke iu drejtuar Konjufcës.
Por reagoi deputeti Glauk Konjufca, i cili tha se është për keqardhje të mbajë ders në Kuvend një njëri që 907 vetë e quajnë hajn.
Kjo e nervozoi deputetin Milaim Zeka, i cili me gjuhë fyese dhe vullgare e quajti të sëmurë mental deputetin Konjufcën.
“Nëse veç një dëshmitar e ka prokuroria unë në jetë nuk jam deputetë, por as gazetar nuk punoj. Ti je një psikopat, një hajvan, një budallë i madh”, i kishte thënë Zeka, Konjufcës.
Përplasja me akuza e kundërakuza nuk ishin të vetmet që përcollën legjislativin gjatë vitit 2018. Gjatë këtij viti, kishte pasur edhe tentime për konflikte fizike mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.
Një përplasje gati fizike ndodhi mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes, në seancën kur po diskutohej për vdekjen e ish-aktivistit të VV-së Astrit Dehari, i cili vdiq në paraburgim në burgun e Prizrenit, si i dyshuar për gjuajtjen e Kuvendit me granata hedhës.
Në atë seancë ish ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha kishte marr fjalën, por deputetët e VV-së nuk e linin të fliste duke i goditur tavolinat me grushte. Kjo kishte shkaktuar nervozizëm, kur shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ishte ngritur në këmbë dhe ishte përplasur me fjalë me deputetin Liburn Aliu, përplasje kjo që gati kaloi në përplasje fizike, por deputetët tjerë hynë në mes duke mos i lënë të përlesheshin fizikisht./FaktePlus