Kurti po mendon ta shkarkojë, por ja çka paralajmëron kryeshefi i “Trepçës”
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, të premten që lamë pas, në vazhdën e shkarkimeve të zyrtarëve të lartë nëpër ndërmarrje publike, shkarkoi edhe bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes “Trepça”. Po në këtë mbledhje kryeministri Kurti theksoi se do të shikojnë anën ligjore për shkarkimin edhe të menaxhmentit të “Trepçës” dhe kryeshefin ekzekutiv, Basri Ibrahimi.
E deri sa Qeveria po shikon mundësitë e shkarkimit, kryeshefi i ndërmarrjes Trepça thotë se po pret diçka tjetër nga kryeministri.
Basri Ibrahimi ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se ka një kontratë valide të punës dhe në rast se do të shkarkohet do të ndjekë rrugët ligjore.
“Unë nuk e di, se çka vepron politika. Unë e di që kam një vendim, një kontratë e përzgjedhur nga një organ kompetent, legjitim, bordi mbikëqyrës i ‘Trepçës’ Sh.A dhe besoj që do të reflektojnë të gjithë, sepse nuk është kjo vetëm me shkarku. Unë kam një vendim valid, ligjor dhe unë nuk pres që askush të ndërmarr hapa ndaj një institucion siç është kryeshefi ekzekutiv i ‘Trepçës’ Sh.A. Jam njeri i institucioneve, institucionalist dhe do të ndjekë gjithmonë rrugë ligjore”, tha ai.
E deri sa thotë se nuk po e pret shkarkimin, kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça”, Basri Ibrahimi thotë se se pret nga Qeveria Kurti mbështetje e t’i shpërblejë për performancën që kanë dhënë prej që kanë ardhur në udhëheqjen e kësaj ndërmarrje.
Ai ka theksuar se ngritja në 35 për qind e prodhimit nuk ka ndodhur që nga pas lufta.
“Nuk pres shkarkim, unë pres të mbështes sepse ne kemi një performancë të jashtëzakonshme. Vetëm tre muajt e fundit ne kemi një ngritje prej 35 për qind të prodhimit që kurrë e asnjëherë pas luftës nuk ka pasur një performancë të tillë. Ne kemi qenë në rrugë të mbarë që ‘Trepçën’ ta ngritim në këmbë të veta e jo që të na shkarkojë. Realisht unë pres të na shpërblejnë e jo me na shkarku, sepse përformancën e kemi shumë të mirë. Ka probleme ende shumë ‘Trepça’, por ne kemi nisur rrugën e mbarë dhe ne kemi shumë pak kohë dhe jemi ballafaqu me shumë e shumë probleme, por jemi në zgjidhje të atyre problemeve e që askush deri më tani nuk e ka marrë guximin e as me u marrë me to e lërë më me i zgjidh dhe ne presim shpërblim e jo shkarkim, kjo është bindja ime”, theksoi ai.
Esat Peci, Feriz Fetahu, Xhafer Nuhi, Shyqeri Sadiku, Ardian Syla dhe Naser Peci janë anëtarët e Bordit të “Trepçës”, të cilët u shkarkuan nga Qeveria “Kurti”.
E kryeshefi ekzekutiv Basri Ibrahimi thotë se bordi mbikëqyrës u shkarkua pa u vlerësuar performanca e tyre.
“Edhe bordi kur është shkarkuar besoj që nuk është vlerësuar performanca e tyre dhe mendoj që do të duhet se secili kurdo qoftë, këdo qoftë që ta largojë nga puna që fillimisht të vlerësohet njëherë performanca. Vetëm e di që ky bord ka qenë cilësor, kualitativ, i cili ka punuar me maksimumin e kapaciteteve të veta. Janë ballafaquar me probleme të jashtëzakonshme edhe para se me ardhë ne… si duket kjo nuk është kuptuar drejt ose kanë pasur informata të gabueshme prej njerëzve sepse një konkurs se gjoja se u bë si sebep apo shkaktar i kësaj, këtu është një procedurë ligjore ku janë zhvilluar të gjitha procedurat ligjore dhe për shkak të disa grupeve kriminale dhe politike të cilat janë munduar të ndërhyjnë në konkurs dhe ne nuk i kemi lejuar, as bordi mbikëqyrës, as unë si kryeshef me stafin tim, ata e kanë marrë si pretekst se gjoja se ka pas ndërhyrje. Por janë organet kompetente të cilat vlerësojnë se çka është shkelje e çka nuk është shkelje”, tha ai.
Ibrahimi ka folur edhe lidhur me arsyet se pse gjoja u shkarkua bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça”.
Ai tha se ato kanë qenë vetëm pretekste dhe si të tilla janë të paqëndrueshme.
“Pastaj dhënia me qira apo hapja e procedurave për t’u dhënë me qira një pjesë në Parkun Industrial, ne kemi edhe 15 apo 20 hapësira të tjera të cilat janë të lëshuara me qira. Prandaj edhe me Ligjin për ‘Trepçën’ ajo është e lejueshme edhe pse kjo është marrë si pretekst që ende procedurat nuk janë kryer dhe nuk ka asnjë shkelje procedurale, ligjore dhe të merret si pretekst unë nuk mundem ta kuptoj se çka është kjo. Prandaj, këto pretekste që janë marrë, janë të paqëndrueshme për mos me thënë jo ligjore”, potencoi Ibrahimi për FaktePlus.
Kujtojmë se në mbledhjen e kabinetit qeveritar të javës së kaluar, ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, bëri të ditur vendimin për shkarkimin e Bordit mbikëqyrës të ‘Trepçës’.
Hajdari, citoi Kushtetutën dhe Ligjin për Trepçën si arsye.
“Unë i propozoj Qeverisë që të shkarkojë drejtorët, këtë propozim e jap duke u mbështetur në Kushtetutë, Ligjin për Ndërmarrje Publike si dhe Ligjin për Trepçën. Në rastin e Trepçës tërësia e rrethanave rreth menaxhimit të pa lujtshmërive dhe punësimit jep arsye për të besuar se bordi mbikëqyrës ka lejuar veprime që bien ndesh me interesin e ndërmarrjes”, tha ajo.
Ajo shtoi edhe disa arsye tjera që këta drejtorë të shkarkohen.
“Gjatë shkurtit 2020 Trepça ka hapur procedura tenderimi për dhënien me qira të pronave të paluajtshme të ndërmarrjes që përfshinë disa tokë dhe objekte. Qiradhënia afatgjate e kësaj natyre bie ndesh me nenin 1 të ligjit për këtë Trepçën”, theksoi ajo.
Ajo përmendi edhe konkursin e fundit që kishte shpallur kjo ndërmarrje si arsye shtesë.
“Më 24 shtator 2019, Trepça ka shpallur konkurs për 220 punëtorë të rinj, shpallja e kandidatëve të suksesshëm ka ngritur dyshime për keqpërdorime. Banorët kanë protestuar, jemi njoftuar që edhe Prokuroria ka nisur hetime. Veprimet ose mosveprimet e bordit mbikëqyrës kanë dëmtuar imazhin e ndërmarrjes”./FaktePlus