Kontrollorët e trafikut ajror zgjasin orët e grevës
Shoqata Sindikale e kontrollorëve të trafikut ajror ka njoftuar se edhe sot do të vazhdohet me grevë, ndërsa për dallim nga ditët e mëparshme tani do të zgjatet koha e grevës.
Greva ka ardhur duke u përshkallëzuar për shkak të pakënaqësive të tyre lidhur me përfshirjen në Ligjin për Paga të punonjësve të Agjencisë së Shërbimeve të navigacionit Ajror (ASHNA)
Kështu gjatë kohës sa do të mbahet greva, do të ketë telashe për realizimin e fluturimeve të aeroplanëve.
Shoqata sindikale ka paralajmëruar se sot do të mbajë grevë nga ora 8:00 deri në ora 16:00, ditën e shtune nga ora 8:00 deri në ora 20:00.
Greva do të pezullohet vetëm të dielën për shkak të pavarësisë së Kosovës për të vazhduar të hënën me grevë 24 orëshe.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë thirrje që të pezullohet greva e kontrollorëve ajror, duke kërkuar që të realizohet të paktën minimumi i punës në mënyrë që të mos rrezikohet aviacioni, jeta apo shëndeti i njerëzve./FaktePlus