Nagavci: S’ka arsye për greva, vlerësimi i mësimdhënësve duhet të ndodhë
Paralajmërimet e SBAShK-ut për protesta dhe greva për shkak të mosmiratimit të Ligjit të Pagave, po shihen si të paarsyeshme nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ministrja Nagavci ka thënë se kjo Sindikatë nuk ka arsye për të protestuar, pasi sipas saj, institucionet kompetente janë duke punuar në hartimin e Ligjit të Ri të Pagave, për çka thotë është e njoftuar edhe SBAShK-u.
“Unë nuk besoj se do të ketë arsye për të pasur greva. Në këto dy, tri vitet e fundit, dhe për shkak të pandemisë, mësimdhënësit janë ballafaquar me sfida nga më të ndryshme. Edhe unë si ministre jam në të njëjtën linjë, dhe me mësimdhënësit duhet të punojmë të gjithë bashkë që t’i përmirësojmë rezultatet në arsim”, tha ajo.
“Nuk ka arsye për greva, një nga çështjet që është adresuar kohëve të fundit nga Sindikatat ka pasur të bëjë me Ligjin për Paga, janë njoftuar edhe sindikatat se po punohet në Ligj të ri, për shkak se Ligji aktual u shpall anti-Kushtetues, pra është një punë që zyrtarët kompetentë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe natyrisht se jemi në konsulta me të gjithë”.
Nagavci ka folur edhe për tekstet shkollore të cilat shpesh janë kritikuar për shkak të përmbajtjes me gjuhë të urrejtjes dhe me gabime drejtshkrimore.
E për këtë, Nagavci ka thënë se shumë shpejtë do ta procedojnë për në Qeveri Projektligjin për tekste të reja shkollore.
Për këtë çështje, e para e Arsimit ka thënë se do të ketë diskutime me ekspertët e arsimit dhe organizatat që i kanë monitoruar tekstet në periudha të ndryshme.
Ndërsa vlerësimin e performancës për mësimdhënës, Nagavci e sheh si një proces që duhet të ndodhë, ndonëse është kundërshtuar nga Sindikata e arsimit.
Nagavci për EO ka thënë se vlerësimi do të bëhet nga drejtoria e shkollave, teksa shton se ky proces do të përcaktohet me udhëzimin administrativ.