Kontrollorët ajror nisin grevën javën e ardhshme
Sindikata e kontrollorëve ajror të Kosovës ka njoftuar se do të fillojë me grevë një orëshe javën e ardhshme.
Kjo për shkak të pakënaqësive të tyre lidhur me përfshirjen në Ligjin për Paga të punonjësve të Agjencisë së Shërbimeve të navigacionit Ajror (ASHNA)
Sindikata e quajtur SINKON njoftuar se dje është ftuar në takim nga ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj.
Pas kësaj ata vendosën që të shpallin grevë paralajmëruese në kohëzgjatje prej një ore më datë 13.02.2019, prej orës 08:00 deri në ora 09:00.
SINKON bëri të ditur se duke qenë se Ligji për Greva në nenin 17 njeh kontrollin e trafikut ajror si shërbim jetik, gjatë kohëzgjatjes së grevës, kontrollorët do të sigurojnë minimumin e procesit të punës, duke i ofruar shërbime të trafikut ajror fluturimeve ushtarake dhe ambulantore në Kosovë.
Megjithatë ata paralajmëruan se në rast të mos përgjigjes së institucioneve të Kosovës ndaj kërkesave për përjashtim nga Ligji i pagave për shërbyes civil, atëherë masat sindikale dhe greva do të përshkallëzohen.
Kujtojmë se ditë më parë Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SINKON) dhe Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Kontrollit Ajror (SHSPKA) përmes një komunikate për media kanë shprehur shqetësim ndaj miratimit të Ligjit për paga, me ç’rast edhe treguan se do të ofrojë vetëm shërbimet bazike, e që do të rezultojë me vonesa të fluturimeve. LEXO KETU
Kurse ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, ka pritur gjatë ditës së martë në takim sindikalistët e kontrollit ajror bashkë me drejtorin e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Bahri Nuredini.
Pasi ka dëgjuar të gjitha kërkesat dhe ankesat e këtij shërbimi lidhur me miratimin e Ligjit mbi pagat, ministri Lekaj shprehu gatishmërinë për t’u dhënë atyre statusin meritor të njëjtë me kontrollet ajrore në vendet e Bashkimit Evropian. LEXO KETU