Lekaj premton se kontrollorëve ajror do t’u jepet statusi si në vendet e BE-së
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, ka pritur gjatë ditës së martë në takim sindikalistët e kontrollit ajror bashkë me drejtorin e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, BahriNuredini.
Pasi ka dëgjuar të gjitha kërkesat dhe ankesat e këtij shërbimi lidhur me miratimin e Ligjit mbi pagat, ministri Lekaj shprehu gatishmërinë për t’u dhënë atyre statusin meritor të njëjtë me kontrollet ajrore në vendet e Bashkimit Evropian.
“Duke u mbështetur në shërbimin e rëndësishëm të kontrollorëve ajrorë që ka ndikim në sigurinë kombëtare, Lekaj premtoi që do të shtyjë përpara amandamentimin e ligjit dhe dhënien e statusit të veçantë për kontrollorët dhe stafin profesional të aviacionit civil në agjencitë e tjera”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.
Bëhet e ditur se palët ranë dakord që të vazhdohet me kryerjen e punëve pa ndërprerje.
Kujtojmë se dje, Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SINKON) dhe Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Kontrollit Ajror (SHSPKA) përmes një komunikate për media kanë shprehur shqetësim ndaj miratimit të Ligjit për paga, me ç’rast edhe treguan se do të ofrojë vetëm shërbimet bazike, e që do të rezultojë me vonesa të fluturimeve. LEXO KETU.