“Koalicioni më i rëndësishëm se ambiciet e sëmura të pushtetfobëve”
Edhe pse ishte thënë se dita e hënë do të jetë dita e arritjes së marrëveshjes mes dy partive fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë, një gjë e tillë nuk ndodhi. Madje, sa po kalojnë ditët edhe po thellohen mospajtimet mes LVV dhe LDK, pasi tani po përmendet edhe opsioni i shkuarjes në zgjedhje të reja.
Nga dita e hënë pas takimit në nivel të liderëve të LVV-së dhe LDK-së, deklaratat kundërthënëse mes të dyja këtyre partive politike vetëm sa po shtohen, shkruan FaktePlus.
Posti i presidentit dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë dy pikat në të cilat subjektet fituese nuk po gjejnë dakordim mes vete.
Mirëpo, pavarësisht kësaj ishte thënë që takimet mes dy liderëve Albin Kurtit dhe Isa Mustafës do të vazhdojnë.
Një takim i tillë ishte paralajmëruar edhe për sot, por që u anulua nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa.
Por, se a do të arrihet një marrëveshje koalicioni për bashkëqeverisje mes të dyja partive politike analistët thonë se kjo duhet të ndodhë, dhe se në këtë rast duhet të merret për bazë verdikti i qytetarëve.
Analisti politik Belul Beqaj, thotë për FaktePlus se më këto mospajtime në mes të dyja partive politike LDK-ja po mundohet ta fitojë atë që se ka fituar me vota.
“LDK-ja, po mundohet për të fituar duke bërë pazar me LVV-në, atë që nuk e fitoj me vota. Çdo alternativë tjetër, përpos koalicionit që reflekton vullnetin politik të votuesve do të shkaktojë pasoja edhe më të mëdha për ata që paraqiten si pengesë për të mos u arritur ky koalicion’, ka thënë Beqaj.
Sipas tij, Kosova është vazhdimisht në krizë, por fati i gjithë kësaj siç shprehet Beqaj, është që këtë fatkeqësi të shkaktuar nga pushtetfobët e LDK-së nuk do ta lejojnë faktorët ndërkombëtarë pasi që edhe kanë ndikuar vendosmërisht në krijimin e shtetit të Kosovës.
Beqaj, ka thënë se kompromisi në mes LVV-së dhe LDK-së është i domosdoshëm.
“Çdo analizë serioze tregon se çdo alternative tjetër shkakton pasoja dhe probleme më të mëdha se sa formimi i këtij koalicion në përputhje me vullnetin e deklaruar politik të qytetarëve, e jo të ambicieve të sëmura të pushtetfobëve, prandaj, kompromisi është i domosdoshëm”, ka deklaruar Beqaj, për FaktePlus.
Por, që do të arrihet një marrëveshje e tillë mes LVV-së dhe LDK-së e beson analisti politik, Nexhmedin Spahiu.
“Marrëveshja do të arrihet, mirëpo do të ketë edhe një kohë një lojë nervash për të ngritur pazarin nga njëra apo tjetra parti, por në fund besoj se do të bëhet koalicioni. LDK-ja po e kërkon Ministrinë e Punëve të Brendshme në fakt vetëm për arsye që ta ketë presidentin, pra loja e LDK-së bëhet që ta ketë presidentin. Madje-madje, LDK-ja për postin e presidentit pazarin mund ta zbres akoma më tepër kur ta kenë të sigurt postin e presidentit”, ka thënë Spahiu.
Spahiu, thotë se kjo lojë nga LDK-ja po bëhet vetëm për postin e presidentit.
“E, gjithë kjo lojë nervash bëhet që LDK-ja ta sigurojë postin e presidentit. Marrëveshja do të arrihet, dhe nuk besoj që vendi do të shkojë deri te një krizë politike”, ka deklaruar Spahiu.
Dy partitë që dolën të parat në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse ishin zotuar se 72 orë pas certifikimit të rezultateve do të nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit, një gjë të tillë nuk e kanë bërë as pasi ka kaluar një javë.
Takimi i së hënës ka thelluar mosmarrëveshjen mes LVV-së dhe LDK-së, dhe deri më tani ende nuk dihet se kur do të jetë takimi i radhës për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje./FaktePlus