Kë favorizojnë sondazhet, demokratët apo republikanët?
Për shtatë të intervistuar në dhjetë, rezultati i zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara përfaqëson praktikisht një gjykim mbi punën e Donald Trumpit.
Konsensusi për presidentin amerikan ka zbritur në 39%. Sipas një sondazhi të përgjithshëm të realizuar nga CNN, fitorja do të shkojë për demokratët me 55% të votave, ndërsa 42% do të shkojnë për republikanët.
Anketimi reflekton tendencën e fillimit të tetorit është thuajse i njëjtë edhe për fillimin e muajit shtator. Në qendër të gjithçkaje është faktori Trump: emri i tij nuk figuron në fletë-votime, por “Midterm” praktikisht rrotullohen rreth shefit të Shtëpisë së Bardhë.
Dhe nëse ka qenë traditë që vota e mesit të mandatit të shndërrohej praktikisht në një referendum për kreun e administratës, personaliteti vullkanik i manjatit të kthyer në president e ka çuar këtë tendencë në një nivel krejt tjetër. Trumpi synon që republikanët e tij të ruajne shumicën e tyre në të dy dhomat e Kongresit, ndërsa demokratët po përpiqen të thyejnë monopolin e kundërshtarëve.
Në përgjithësi, analistët politikë u japin këtyre të fundit një shans më të mirë për të siguruar më shumë vende në Dhomën e Përfaqësuesve sesa në Senat. Votuesit të martën do të zgjedhin se kush do t’i mbushë të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 vendet e Senatit.
Përveç garave të kongresit, 36 nga 50 shtetet e SHBA-së kanë për të zgjedhur guvernatorë të martën. Aktualisht kandidojnë 33 guvernatorë republikanë, 16 demokratë dhe një i pavarur.