Katari premton se do të ndihmojë Kosovën për rritjen e njohjeve
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli e ka pritur sot në takim ambasadorin e shtetit të Katarit, Ali Bin Hamad Al Marri, i cili ka dhënë premtimin se shteti i tij do të mbështes Kosovën në procesin e njohjeve të reja.
Ambasador i Shtetit të Katarit në Tiranë, jo-rezident në Kosovë, Ali Bin Hamad Al Marri po qëndron për vizitë në Prishtinë, me ç’rast para krerëve të shtetit edhe prezantoi kopjet e letrave kredenciale.
“Me ambasadorin nga Katari biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes të dyja vendeve tona, dhe njëherit e falënderova për ndihmën që ahteti i Katarit ka dhënë dhe vazhdon të japë për Republikën e Kosovës. Mora premtim se Katari do ta ndihmojë Kosovën edhe në marrjen e njohjeve nga disa shtete”, ka thënë ministri Pacolli.
Ai tha se e ka informuar ambasadorin Al Marri lidhur me planet për hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Doha, dhe interesimin e Kosovës për t’i thelluar edhe më tutje marrëdhëniet.
Në këtë rast Pacolli përmes ambasadorit Al Marri e ka ftuar Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme që ta vizitojë Kosovën./FaktePlus