Hodaj flet rreth paraqitjes së parë të Salih Mustafës para Speciales

Ish-shefi i Inteligjencës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Salih Mustafa, sot ka bërë paraqitjen e parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Avokati i licencuar i Speciales, Taulant Hodaj ka bërë të ditur se seanca e parë është zhvilluar vetëm për t’u siguruar se i akuzuari e ka kuptuar aktakuzën.
“Seanca e parë është për t’i siguruar se i akuzuari e ka kuptuar aktakuzën dhe për ta caktuar seancën tjetër”.
“Sipas rregullores, në këtë seancë ai ka të drejtë të mos deklarohet rreth fajësisë, por pastaj do të ketë edhe seanca tjera ku pritet të bëhet pranimi i fajësisë. Nëse i pandehuri nuk përgjigjet, do të konsiderohet se nuk e ka pranuar fajësinë”.
“Në Speciale bëhet konfirmimi i aktakuzës dhe tek pastaj caktohet seanca. Pas kësaj palët kanë kohë 30 ditë që t’i japin të gjitha dokumentet mbështetëse. Mbrojtja ka të drejtë që brenda afatit 30 ditor ta kundërshtojë aktakuzën – ose ta kërkojë përmirësimin e aktakuzës”, ka thënë Hodaj në infomagazine.
Avokati Hodaj ka thënë se beson që Mustafa me mbrojtësin e tij do të kundërshtojnë aktakuzën.
“Por do të jetë shumë vështirë që të pranohet kundërshtimi i aktakuzës në këtë fazë. Ndoshta gjasat më të mëdha do të jenë në Gjykatën e Apelit”.
“Deri tani janë ngritur tre aktakuza, në prill është ngritur ndaj Thaçit dhe Veselit. Sipas rregullave, gjyqtari ka 6 muaj afat që ta konfirmojë ose të mos e konfirmojë aktakuzën. Por kur vjen 24 dhjetori, nuk do të thotë se patjetër do të ketë një vendim. Mund të marrë edhe 3-4 muaj kohë deri sa publiku ta marrë vesh nëse është konfirmuar apo jo aktakuza”.
“Në bazë të përvojës nuk duhet pritet që shpejt do të kryhen këto seanca, mund të zgjasin me vite. Ende nuk i është dhënë afati 30 ditor për kundërshtimin e aktakuzës”.
“Javën tjetër do të caktohet një seancë tjetër, pastaj merr kohë apeli, përgatitja, shqyrtimi gjyqësor. Do ta marrë kohë me vite në bazë të praktikave të tribunaleve ndërkombëtare”.