“Kthema adresën”, paralajmërohet protestë në Medvegjë
Më 3 nëntor është paralajmëruar të mbahet protestë para Stacionit Policor në Medvegjë, me thirrjen “Kthema adresën”, për shqiptarët që iu janë pasivizuar adresat nga autoritetet serbe. Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, duke njoftuar se protesta do të nisë në orën 13:00.
“Protesta e radhës në Medvegjë, 3 nëntor 2024, ora 13:00, para Stacionit Policor. Për mijëra qytetarë të pasivizuar!”, ka shkruar ai në Facebook.
Mijëra shqiptarë kanë protestuar gjatë shtatorit në Luginë të Preshevë për diskriminimin që po iu bëhet nga autoritetet serbe. Ata kërkuan trajtim të barabartë.
Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, e ka akuzuar Qeverinë në Beograd për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare.
Sipas tij, Serbia nuk e dëshiron integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se pavarësisht se janë nënshkruar marrëveshje për plotësimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Protestat janë paralajmëruar deri në realizimin e kërkesave.