Haradinaj milioner, por nuk paguan tatimet-mijëra euro borxhe shtetit
Qytetarët e vendit as veturën nuk mund ta regjistrojnë pa shlyer borxhin e tatimit në pronë. Por, kjo duket se nuk është e domosdoshme kur bëhet fjalë për njerëz të politikës që kanë pasuri të majme. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, është njëri nga politikanët që edhe pse posedon pasuri të madhe, ka me mijëra euro borxhe ndaj shtetit.
Ndonëse politikanët dhe zyrtarët e shtetit do të duhej të ishin shembull për qytetarët në mënyrë që t’i respektonin ligjet e vendit, ata po e bëjnë të kundërtën.
Një numër i madh i tyre po vazhdojnë t’u shmangen detyrimeve shtetërore. E Agjencia e Lajmeve FaktePlus është duke sjell serinë e dokumenteve të zyrtarëve shtetërorë të cilët nuk po paguajnë tatimet për pronat e tyre.
LEXO EDHE: Ramiz Lladrovci nuk paguan tatimet, mijëra euro borxh komunës
E me borxhe ndaj shtetit shihet se është edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, njëherit edhe vëllai i kryeministrit Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj.
Deputeti Haradinaj për herë të fundit ka i ka kryer obligimet e shtetit në vitin 2016 dhe që atëherë është me borxhe ndaj shtetit, ani pse thirret në konceptet e ligjeve për barazi dhe përpikshmëri ndaj vendit.
Nga dokumenti që titullohet “Specifikimi i borxheve”, e që është nxjerrë këtë muaj nga zyra tatimore, vërtetohet se Haradinaj ka hiq më pak se 2 mijë e 606 euro borxhe për pronat e tij që nuk janë të pakta.
Bazuar në faturën e tatimit në pronë thuhet se deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj në pronësi ka një parcelë për objekt komercial në Prishtinë me 399 metra katror e që kap vlerën prej mbi 129 mijë euro, por që nuk është paguar tatimi prej 29 euro.
Pasuria dhe borxhet e deputetit Haradinaj nuk mbarojnë me kaq. Ai në pronësi ka edhe një zyre dhe dyçan në Çagllavicë të Prishtinës.
Dyçani i tij, i cili është 65 metra katror kap vlerën prej 71 mijë e 500 euro, ndërsa zyra e tij e cila po ashtu ndodhet në Çagllavicë, është e vlerësuar me mbi 610 mijë euro për 555 metra katror, shkruan FaktePlus.
Një tjetër pronë komerciale, Haradinaj ka edhe në Prishtinë në rrugën “Ismail Qemaili”, të vlerësuar prej 71 mijë euro, e që ndaj kësaj parcele për vitin 2019 ka borxh prej saktësisht 121.55 euro. Po në rrugën “Ismail Qemaili”, Haradinaj ka pronë tjetër të vlerësuar prej 610 mijë euro dhe tatimi i vlerësuar për këtë njësi ka rritur mbi 1 mijë euro.
Nga e gjitha kjo, del se deputeti Daut Haradinaj, për vitin 2017 ka borxh prej 1 mijë e 278.58 euro për pronat dhe parcelat e tij. Edhe viti 2018 është mbyllur me borxhe prej 1 mijë e 328 euro.
Sipas faturimit të tatimeve, emri i Daut Haradinajt figuron me gjithsej 2,606.71 borxh ndaj shtetit.
Pasuria e vëllait të kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk mbaron me kaq. Ai ka edhe një pronë tjetër rezidenciale në Graçanicë, e cila vlerësohet prej 34 mijë e 900 euro, por që borxhi për këtë pronë është prej 10 euro.
Pasuria e deputetit Daut Haradinaj
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët i AAK-së, Daut Haradinaj ka deklaruar një pasuri të majme në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).
Ai si pasuri të paluajtshme ka deklaruar dy shtëpi të cilat janë si prona të përbashkëta e që kapin vlerën prej rreth 400 mijë euro.
Ai po ashtu pasuri të luajtshme ka një veturë me vlerë prej 10 mijë euro dhe dhurata të ndryshme të pranueshme në vlerë prej mbi 16 mijë euro.
E para të gatshme të deponuara në bankë, Daut Haradinaj ka deklaruar se ka 26 mijë euro.
Bazuar në regjistrin e AKK-së, Haradinaj ka deklaruar se ka huazuar para nga familja për blerjen e një shtëpie me vlerë 30.000.00 euro, ndërsa ka borxh edhe në “Marigona Residenc” që duhet t’i paguaj për 31 muaj nga 10.000.00 euro.
Nga Kuvendi i Kosovës, Haradinaj pagë vjetore merr mbi 20 mijë euro. Ndërkaq nga të hyrat e qirave, Haradinaj thuhet se merr hiq më pak se 27 mijë euro në vit./FaktePlus