Ramiz Lladrovci nuk paguan tatimet, mijëra euro borxh komunës
Një numër i madh i zyrtarëve në Kosovë vazhdojnë t’u shmangen detyrimeve shtetërore. E numri i tyre që ikin nga tatimet nuk është i vogël. Ndonëse këta zyrtarë do të duhej të ishin shembull për qytetarët në mënyrë që t’i respektonin ligjet e vendit, ata po e bëjnë të kundërtën. Njëjtë ka vepruar edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka vite që nuk ka paguar tatim mbi pronë.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka siguruar dokumentin që tregon se kryetari Lladrovci aktualisht ka të pa paguar mbi 2 mijë euro për pronën e paluajtshme.
Redaksia ka dërguar pyetje në adresë të kryetarit të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka mohuar të ketë borxhe ndaj komunës.
Madje, ai thotë se shtëpia në fshat është ende në emër të babait të tij të ndjerë Muhamet Lladrovci.
“Unë kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci jetoj në shtëpinë e cila është në emër të babait tim të ndjerë Muhamet Lladrovci, dhe se i njëjti nuk ka asnjë obligim të pa shlyer sa i përket tatimit në pronë në komunën e Drenasit”, është shprehur ai.
Mirëpo, FaktePlus mëson se i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci jeton ende në bashkësi familjare me vëllanë e tij Emri Ladrovcin, me të cilin kanë edhe një pjesë të pasurisë në bashkëpronësi.
E Lladrovci ani pse shumë herë ka bërë thirrje për respektim të ligjeve dhe rregullave të Komunës të cilën e drejton, vetë dhe familjarët e tij nuk i kanë paguar borxhet që kanë ndaj komunës.
“Kjo është një përmbledhje e borxheve tuaja për tatim të papaguar, gjoba dhe interes për një apo më shumë njësi në këtë komunë. Për të marrë një specifikim për secilën njësi, kontaktoni komunën tuaj”, shkruan në njërën nga dokumentet që titullohet “Specifikimi i borxheve”, e që është nxjerrë këtë muaj nga zyra tatimore e Komunës së Drenasit.
Shtëpia e kryetarit Lladrovci që është mjaft luksoze, është në emër të vëllaut të tij, Emri Lladrovcit, e që faturohet me një borxh prej 2,055.89 € së bashku me tokat bujqësore dhe pronat tjera.
Bazuar në faturën e tatimit në pronë, aty evidentohen për tatim dy shtëpi, njëra është me 1 mijë e 326 metra katror me vlerë prej mbi 265 mijë euro, kurse tjetra shtëpi përmban 180 metra katror në vlerë prej 36 mijë eurosh. Vetëm për këto dy shtëpi janë pa paguar tatim mbi 400 euro.
Ndër të tjera, dokumenti të cilin e posedon Agjencia e Lajmeve FaktePlus, tregon se vëllezërit Ladrovci po ashtu janë faturuar me borxhe ndër vite, respektivisht prej vitit 2010 deri në vitin 2018.
Vetëm në vitin 2016, Lladrovci ka borxh tatimor prej 572.19 eurosh. Ndërsa të vitin 2017 dhe 2018 borxhi kap shifrën përsëri mbi 500 euro në vit.
Pasuria e Lladrovcit
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, gjatë vitit të kaluar ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë e Kundër Korrupsionit (AKK).
Sipas deklarimit, Lladrovci ka pasuri të paluajtshme në të cilën hyjnë shtëpia, banesa, parcelat e tokës, zyra, e të cilat kapin në tërësi çmimin e 899 mijë e 250 eurove.
Vetëm për shtëpinë që gjendet në fshatin e tij të lindjes në Gllanasellë të Drenasit, Lladrovci ka treguar se ka vlerë prej 150 mijë eurove.
Ai ka deklaruar në AKK se vetëm nga puna sa ishte në Gjermani ka arritur t’i kursej 105 mijë euro, përmes të cilave ka blerë një banesë me bodrum.
Lladrovci ka deklaruar se ka në pronësi tri vetura, njëra është e tipit Golf e cila ka kushtuar jo më pak se 9 mijë e 500 euro. Një veturë të tipit Mecedes S-320, e cila ka vlerën prej 15 mijë euro. Dhe një tjetër veturë të tipit Audi A6 – 2.0, e cila ka një çmim prej 40 mijë e 500 euro.
Të gjitha këto Lladrovci ka deklaruar se i ka siguruar nga mjetet e kursyera nga të ardhurat familjare.
Lladrovci gjithashtu ka deklaruar edhe dy orë dore. Njëra është e tipit “Rolex” dhe ka vlerën prej 9 mijë euro. Ndërsa tjetra është e tipit “Carier”, dhe ka vlerën prej 3 mijë euro, dhe prejardhja e këtyre ka deklaruar se ka ardhur nga buxheti familjar.
Ai ka deklaruar edhe stoli ari në vlerë prej 11 mijë euro. Ari në vlerë prej 7 mijë euro i përket bashkëshortes së Lladrovcit, ndërsa ari në vlerë 4 mijë euro u përket fëmijëve të tij.
Lladrovci para të gatshme të mbajtura në institucionet financiare ka deklaruar 3 mijë e 200 euro.
Kujtojmë se Lladrovci si kryetar i komunës së Drenasit merr pagë prej 1 mijë e 127 euro. Ndërsa bashkëshortja e tij si punëtore e kompanisë Kujtesa, merr pagë mujore 1 mijë e 732 euro./FaktePlus