Gjykata Kushtetuese “bllokon” punën e KQZ-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të mund të marrë asnjë vendim derisa nuk e ka buxhetin e ndarë nga Ministria e Financave.
Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, e cila ka thënë se në rast e ndonjë vonese eventuale, organi që ajo udhëheq nuk merr asnjë përgjegjësi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
“KQZ nuk mund të ndërmerr asnjë hap pa i pasur paratë e alokuara. KQZ-ja nuk mund të marr përgjegjësi për vonesa, për mosmbarëvajtje të zgjedhjeve. Sepse ne që në ditën e parë dhe që nga momenti kur kryeministri ka dhënë dorëheqje, kemi treguar se meqë (2019) nuk ka qenë vit zgjedhor, KQZ nuk ka mjete për organizimin e zgjedhjeve”, tha Daka.
Por, kjo po ndodhë si pasojë e mos nxjerrjes së një vendimi nga Gjykata Kushtetuese mbi të drejtat e Qeverisë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.
Ministri në largim i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se mjetet financiare janë të gatshme, porse nuk mund t’i bartin pa shpalljen e vendimit nga kushtetuesja.
“Unë besoj se Kushtetuesja duhet të bëjë veprime në kompetencën e saj. Pa u lëshuar në çështjet, detyrat dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, ne do të presim të sqarohet kjo situatë dhe pas sqarimit të situatës të ndërmarrim veprimet e nevojshme në përputhje me ligjin”, tha Hamza.
Ndërsa, në anën tjetër zyrtarë nga Gjykata Kushtetuese nuk e kanë sqaruar se kur do ta nxjerrin këtë vendim, në mënyrë që t’ia mundësojë Ministrisë së Financave alokimin e mjeteve KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve.
“Për sa i përket afatit kohor për shqyrtimin e kësaj lënde, Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje”, ka thënë drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula.
Por, në rastet kur kërkesat janë urgjente, sipas Dulës, Gjykata ka një afat nga një muaj e gjysmë deri në dy muaj që të kthejë një përgjigje.
“Megjithatë, bazuar në praktikat e deritanishme me kërkesat institucionale që ngërthenin në vete situata më urgjente, koha minimale për vendimmarrjen e Gjykatës variron nga një muaj e gjysmë deri në dy muaj. Kjo për arsye se, janë një sërë veprimesh procedurale që Gjykata tani duhet të ndërmarrë, si para shqyrtimit e po ashtu edhe pas shqyrtimit të lëndës, të cilat zbatohen me rigorozitet në çdo kërkesë të parashtruar”, ka theksuar Dula.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë ka shpallur datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen me 6 tetor. E në mbledhjen e fundit anëtarët e KQZ-së kërkuan nga Qeveria në dorëheqje 5 milionë e 698 mijë euro për organizimin e zgjedhjeve./FaktePlus