Fillon periudha e rivotimit përmes postës për kryetar të Dragashit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se duke filluar nga sot 29 nëntor fillon periudha e përsëritjes së votimit përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Dragashit.
Në njoftimin e KQZ-së thuhet se periudha e rivotimit përmes postës për kryetar të Dragashit do të zgjas deri më 13 dhjetor 2021.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë votuesit e regjistruar nga jashtë Kosovës për Zgjedhjet në Komunën e Dragashit se ka filluar periudha e përsëritjes së votimit për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit. Fletëvotimet duhet të pranohen më së largu nga KQZ-ja deri më 13 dhjetor 2021”, thuhet në njoftim.
KQZ ka njoftuar më tej se të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.
“Fletëvotimi, procedura dhe çështjet që duhet t’i kenë parasysh votuesit janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së, në pjesën Shërbimet e KQZ-së – Votimit përmes postës, apo në linkun direkt: https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/”, thuhet në njoftim
Meqenëse sipas KQZ-së, të gjithë votuesit e regjistruar nga kjo komunë si votues jashtë Kosovës kanë aplikuar përmes e-mailit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka njoftuar personalisht përmes e-mailit për periudhën e votimit dhe për detajet tjera.