Ditari i Albinit, 23 prill

Shkruan: Albin Mehmeti
Pranvera ka filluar ta pushtojë natyrën. Lulet e pemëve thuajse kanë mbaruar dhe të mposhtura nga koha, kanë rënë në tokë, duke pushtuar oborrin. Ja, pushtim pas pushtimi. Pranvera po e pushton natyrën e pemët po e pushtojnë oborrin. Një minibotë në oborrin tim. Gjithë historia e njerëzimit në një hapësirë të vogël. Histori ku pushtimi vjen pas një pushtimi tjetër. Pemët, tani po vazhdojnë ta bëjnë një hap para. Çdo ditë e më tepër po i afrohemi ditës kur në duar do t’i kemi frytet në duar. Hm! Profesioni prej shkrimtari po më bën të tillë që shpeshherë përshkrimi të mbizotërojë mbi narracionin. Përshkruaj gjëra që mbase ty s’të interesojnë, i dashuri ditari im. Hm! Ç’është në interesin tënd se a do t’i mbaj në duar frytet e pemës, dhe se a do t’i ha ato apo jo?! Mjafton ta kuptosh, i dashuri ditar, se pranvera ka ardhur.
Në këto ditë pranvere po vazhdojmë të përballemi fytas me virusin që na mbylli në shtëpi. Disa po përballen burrërisht e ca të tjerë po vazhdojnë të shesin trimëri. Të tillë jemi ne! “A doli kojshia? Edhe unë pa dal s’e la!” Dalim e vrasim! Tani numri i të infektuarve ka shkuar në gjashtëqind e gjashtëdhjetë e nëntë. Këto ditë është rritur numri i të shëruarve, që ka arritur në njëqind e pesëdhjetë e nëntë, krahas nëntëmbëdhjetë të vdekurve.
Virusi i pa njohur po shëtitet mes nesh. Por, a ka më të panjohur se virusi. Ndoshta në botë jo, por tek ne, po. Skena jonë politike është edhe më e panjohur. Nëse shkencëtarët thonë se po e kemi të pamundur t’i kuptojmë specifikat e virusit ngaqë është i panjohur pasi është i ri, edhe ne jemi në të njëjtën gjendje. Por, tek ne, s’është edhe aq i ri. Njëzet vjet! Tash e njëzet vjet po merremi me virusin tonë e s’e njohëm asnjëherë. E dimë dhe i kuptojmë se në çfarë situate janë shkencëtarët. O ne, o kush! E dimë se çfarë gjendje depresive dhe e rëndë është të merresh me një virus që s’arrin ta stoposh e ta njohësh. Virusin tonë s’po arrijmë ta njohim, e lëre më ta ndalim, pasi për çdo ditë është duke pësuar mutacion. Për çdo ditë metamorfizohet në diç tjetër, që për fatkeqësinë tonë asnjëherë s’u metamorfizua në qenie të mirë, në qenie që së paku do të mendojë të paktën një herë për ne. Por, çdoherë keq e më keq. Herë bëhet hienë e herë ujk, herë dhelpër e herë ari, herë pakurrizor e herë palaço. Hm! Palaço! Mbase është vetëm sinonim i emrit politikan.
Sot u shënua Dita Ndërkombëtare e Librit. Sot, çdokush u bë lexues i zellshëm. Madje edhe ata që thonë se “me lexu bëhesh budallë!”. Sot, të gjithë e çmojnë librin, madje edhe ata që thonë se “po i trashë koka. Çka e kish zi pasulin kjo!”. E pata lexuar diku një thënie që thoshte se ekziston një krim më i madh se djegia e librave, dhe ai është mosleximi i tyre. Sa është shkalla e leximit, flet gjendja jonë në terren. Paramendoje, i dashur ditar, se a është gjendje e mirë apo jo, kur gjërat e vetme që lexohen janë demagogjitë të cilat liderët shkruajnë nëpër rrjete sociale. Paramendoje, i dashur ditar, se a është gjendje e mirë, kur e vetmja gjë që shkruhet është lavdërimi i liderëve supremë dhe sharja e linçimi i të tjerëve që mendojnë ndryshe.
Sonte është nata e Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Besimtarët myslimanë, tani, për një muaj do të agjërojnë dhe përmes agjërimit do ta luftojnë egon e tyre. Sa më madhështor do të ishte Ramazani dhe sa ndjenjë më e madhe shpirtërore do të ishte, po të mos përziheshin ata të cilën përzihen çdo kund. Sa më i ëmbël do të ishte Ramazani po të mos ishin liderët, të cilët, edhe në këto ditë të mëdha, duan të jenë faktorë. O, Zot, në këto ditë kur pranon lutjet, na mundëso t’i flakim të këqijat që i kemi brenda vetës sonë! O, Zot, largona të keqën që na rrethon! O, Zot, kur do të na largosh të këqijat, mos i harro politikanët! Amin, o, Zoti im!