Dhjetëra raste me HIV/AIDS në Kosovë, më e prekur mosha mesatare
Që nga viti 1986, kur edhe është paraqitur rasti i parë i prekur me HIV/AIDS, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 119 raste të infektuara nga ky virus. Sipas të dhënave nga Qendra e testimit, vetëm në vitin 2018 janë regjistruar 5 raste të reja me HIV/AIDS, ndërsa trajtim mjekësor po marrin rreth 30 persona.
Nga Qendra e testimit për HIV/AIDS kanë bërë të ditur se prej vitit 1986, kur është paraqitur rasti i parë i prekur nga HIV, në Kosovë kanë vdekur 46 persona tw prekur nga kjo sëmundje.
Epidemia e HIV/AIDS paraqet tani një sfidë të madhe edhe për sistemin shëndetësor të vendit tonë.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka siguruar të dhëna zyrtare se në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), janë duke u mbikëqyrur 30 raste me HIV/AIDS.
Izet Sadiku, koordinator i Qendrës për testim për HIV/AIDS, i ka thënë FaktePlus se në këtë klinikë po trajtohen 30 persona, të cilët po marrin trajtimin adekuat ndaj këtij virusi.
Ai thekson se Kosova është në mesin e shteteve me numrin më të ulët të rasteve të HIV/AIDS.
“Kosova bënë pjesë në grupin e shteteve me prevalence të ulët, apo me numër të ulët të rasteve, dhe për këtë mund të themi se vetë 5 raste janë regjistruar në vitin 2018. Të gjitha rastet janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive ku edhe po marrin trajtimin e duhur. Në Kosovë janë me terapi dhe marrin të gjithë pacientet që kanë nevojë. Aktualisht janë rreth 30 raste me terapi antiretrovirale”, është shprehur Sadiku.
Sipas të dhënave që kjo qendër posedon, në Kosovë më të prekurat janë moshat mesatare, përkatësisht moshat 25-44 vjeçare, me dominim të meshkujve me 72 për qind të rasteve.
Deri më tani për të gjitha rastet e paraqitura në Kosovës, Ministria e Shëndetësisë ka mbuluar shpenzimet e trajtimit me terapi antiretrovirale (ARV).
Të dhënat e fundit të OBSH-së tregojnë se në botë deri në fund të vitit 2016 rreth 36.7 milionë njerëz jetojnë me virusin e HIV-it.
Ndryshe, epidemia e HIV/AIDS ka filluar prej më shumë se tri dekada dhe paraqet një sfidë e madhe për çdo sistem shëndetësor të çdo shteti.
Sipas të dhënave të fundit të OBSh-së, në botë deri në fund të vitit 2016 rreth 37 milionë njerëz jetojnë me virusin e HIV-it, prej tyre 2.1 milionë janë paraqitur si raste të reja të infektuara, 1.1 milion kanë vdekur nga shkaktarët që ndërlidhen me HIV-in, 1.8 milion ishin fëmijë nën moshën 15-vjeçare, shumica e tyre jetojnë në Afrikën Sub-Sahariane dhe janë infektuar nga nënat e tyre me HIV gjatë shtatzënisë, lindjes ose ushqyerjes me qumësht gjiri.
Aktualisht vetëm 60 për qind e personave me HIV e njohin statusin e tyre. Pjesa e mbetur, 40 për qind (mbi 14 milionë njerëz), ende duhet t’u qasen shërbimeve të HIV-testimit. Që nga qershori i vitit 2016 janë 18.2 milionë njerëz që jetojnë me HIV dhe kanë pasur qasje në terapi antiretrovirale (ARV) në nivel global./B.K – FaktePlus