Buzëqeshja Kurti-Bërnabiq, analistët tregojnë se çka është me rëndësi në përballjet me Serbinë
Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti prej se ekzistojnë në skenën politike kanë kritikuar vazhdimisht liderët e institucioneve, e të pakursyer kanë qenë edhe mandatin e fundit deri para pak muajsh ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj, e të tjerë zyrtarë, të cilët zhvillonin takime e shtrëngonin duart ndonjëherë duke buzëqeshur me zyrtarë të Serbisë.
Por ende pa kaluar tri javë prej kur edhe mori postin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u përball me homologen e tij serbe, Ana Bërnabiq.
Krejt kjo ndodhi në Samitin e Londrës, ku Kurti e Bërnabiq u ulën afër njëri-tjetrit dhe në një moment të shkëmbimit të ca fjalëve edhe shkëmbyen një buzëqeshje.
E kjo buzëqeshje e shkurtër nuk kaloi lehtë në Kosovë. Ajo nxiti reagimin e subjekteve të opozitës, të cilat edhe e kritikuan ashpër Kurtin, duke ia kujtuar ato që thoshte më parë ndaj atyre që ishin në qeverisje.
Mirëpo njohësit e rrethanave politike thonë se sikurse opozita e mëhershme edhe kjo e tashmja këto raste po i shfrytëzon për penë politikë. Sipas tyre, buzëqeshja e Kurtit nuk ka asgjë të keqe, por dhe se nuk duhet paragjykuar kur nuk dihet se si ka rrjedh gjithë ngjarja.
Madje, Imer Mushkolaj kritikat e tilla për buzëqeshje i quan banale dhe tendencë të ish- qeveritarëve për të ikur nga përgjegjësia e keqqeverisjes dhe punësimet siç janë bërë në rastin e postës dhe të tjera institucione.
“Ne nuk e dimë, ne nuk kemi qenë aty dhe nuk e dimë se çka ka fol Bërnabiqi me të, as a ka fol dikush tjetër. Por edhe nëse ka buzëqeshur, çka ka të keqe? A do me marrë thikën a, se nuk po kuptoj, pra me aq gjëra banale është duke u marrë opozita, saqë përnjëmend nganjëherë ndihesh keq që e ka filluar në këtë mënyrë jo të duhur, sepse prej opozitës pritet që të kundërshtoj gjana thelbësore e jo të merret me formën. Pra të merret me përmbajtjen e jo me formën. E mesazhi më i mirë për opozitën janë ato shifrat zyrtarëve të tyre që i kanë punësuar në postë dhe me shifra deri në 3500 euro rrogë, kështu që këta e kanë qëllimin që me fokus mendjen diku tjetër e jo te keqqeverisja dhe gjërat e tyre që i kanë bërë”, tha Mushkolaj.
Imer Mushkolaj tha për FaktePlus se gjithë ata që e kanë kritikuar fotografinë e Kurtit me Bërnabiqin, kanë mundur ta krahasojnë fotografinë e tij me ata që kanë qenë më herët në qeverisje dhe si kanë marrë pejsë në ngjarje ndërkombëtare.
Megjithëkëtë, Mushkolaj thekson se nuk duhet marrë me këso cikërrima, por me atë se si prezantohet shteti i Kosovës.
“Tash se çka ka thënë Kurti e çka ka vepruar ekzistojnë videot për fat të mirë dhe mund të krahasohen. Por, sa i përket forumeve të tilla, si në Londër apo në një kryeqytet tjera evropiane absolutisht nuk vendos as Kurti e nuk ka vendos as Haradinaj se me kë do të ulen apo kush do të jetë afër tij. Kështu që, edhe ky rast ishte një i tillë, pavarësisht se opozita mund të gjejë qime në ve që thuhet për raste të ngjashme. Por besoj që më e rëndësishme është që Kosova të prezantohet si shtet i pavarur në forume të tilla, të jepet mesazhi i qartë i përfaqësueseve të Kosovës, në këtë rast edhe prej Kurtit sesa të merren me këto që unë i quaj cikërrima”, tha Mushkolaj.
Tutje, analisti Mushkolaj ka përmendur edhe rastet e ngjashme që patën ndodhur mes presidentit Hashim Thaçi dhe zyrtarëve serbë. E për çka ai thotë se nuk duhet të merret askush me formën, por me përmbajtjen.
“Ne e pamë që Kurti nuk buzëqeshi me krejt kuptimin se nuk ke far muhabeti. Ne vetëm mundemi me paragjyku dhe me kriju situatë të teorisë konspirative por thjesht në raste të tilla sa e sa herë e kemi parë Hashim Thaçin kur i ka shtrënguar duart me Vuçiqin e që i kanë buzëqeshur njëri tjetrit ndoshta edhe mënyrë ironike. Unë nuk besoj që duhet me u marrë me formën, por me përmbajtjen. Për mua është e rëndësishme se dje Albin Kurti ka vepruar diçka në dëm të Kosovës në Londër, nëse ai ka thënë diçka në dëm të Kosovës sesa se afër kujt u ul, kujt i buzëqeshi dhe me kë i shkëmbejë një fjalë ose dy”, tha ai.
Kujtojmë se me t’u publikuar fotografia e Kurtit pranë Bërnabiqit, nisën t’ia sjellin në mendje se si ai kishte kritikuar paraardhësit e tij sa ishte në opozitë.
Por kjo siç tha analisti politik, Ramush Tahiri, varet nga nikoqirët. Edhe Tahiri thekson se buzëqeshja e Kurtit me Bërnabiq nuk ka asnjë të keqe përveç një mirësjellje në takim.
“Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen në konferencat ndërkombëtare siç ishte rasti…varet prej nikoqirit si e organizon dhe varet prej muhabetit që bënë. Unë nuk shoh asgjë të keqe edhe me qesh edhe me u përshëndet ajo nuk do të thotë asgjë tjetër, përveç një mirësjellje në takim”, tha Tahiri.
Ndërsa, ai tha se kritikat në opozitë dhe pushtet janë të zakonshme dhe ndryshon qëndrimi varësisht nga cili pozicion dhe cila parti kritikon. E që siç tha ai Vetëvendosje ndryshe sillet si parti opozitare e ndryshe si parti e pushtetit.
“Ndërsa, Kosova duhet të jetë e përgatitur dhe të mos lëshoj pe në qëndrime si ka bërë në të kaluarën që ka biseduar për çështje të brendshme, që ka biseduar për fusnotë dhe për çështje tjera. Ndërsa kritikat në opozitë dhe pushtet janë të zakonshme dhe ndryshon qëndrimi varësisht nga cili pozicion dhe cila parti kritikon. Vetëvendosje ndryshe sillet si parti opozitare dhe tash ndryshe sillet si parti e pushtetit dhe kjo ka ndodhur me të gjitha dhe do të ndodhë me të gjitha dhe tash e mas. Ne mund të flasim për një moral politik por gjithashtu duhet me fol për respektim që ligjit dhe kushtetuese”, tha ai.
Të hënën në Londër u mbajt Samiti për Investime në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka kërkuar kryeministres serbe Ana Bernabiq që Serbia të njohë Kosovën.
Zëvendëspresidenti i BERZH-it, Jurgen Rigterink, ka zbuluar detaje nga diskutimi të cilin e ka konsideruar magjepsës. Në një status në rrjete sociale, Rigterink ka thënë se Kurti i ka kërkuar Serbisë reciprocitet dhe njohje, pasi Bërnabiq deklaroi se përmirësimi i tregtisë rajonale është thelbësore për sigurinë.
“Diskutim magjepsës gjatë Samitit të BERZH për investimet në Ballkanin Perëndimor. Samiti i Investimeve # ËesterBalkans: Kryeministrja serbe Ana Bernabiq argumenton se përmirësimi i tregtisë rajonale është thelbësore për sigurinë në rajon. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pajtohet dhe kërkon reciprocitet / njohje të vendit”, ka shkruar Rigtering./FaktePlus