Bon Jovi i shpëton jetën një gruaje
Legjenda e rock-ut Jon Bon Jovi është lavdëruar nga policia për ndihmën që i ka ofruar një gruaje në rrezik, e cila ndodhej në skajin e një ure në Nashville, Tennessee, të martën në mbrëmje.
Departamenti Metropolitan i Policisë së Nashville publikoi një video të frontman-it të Bon Jovi dhe ekipit të tij, të cilët ndodheshin në Urën Pedonale ‘John Seigenthaler’ kur gruaja qëndronte në një pozicion të rrezikshëm mbi lumin Cumberland.
Bon Jovi, 62 vjeç, dhe të tjerët biseduan me gruan dhe e ndihmuan atë të kthehej në urë, njoftoi policia, shkruan BBC.
“Ne duhet të gjithë të ndihmojmë njëri-tjetrin për të mbajtur sigurinë”, tha Ch John Drake në një deklaratë të shkurtër.
Bon Jovi duket se ndodhej në Nashville duke xhiruar një video muzikore në urë, sipas imazheve të postuara në rrjetet sociale.
Në videon e publikuar nga policia, një grua e veshur me të kaltra mund të shihet duke u mbajtur pas parmakëve ndërsa qëndronte në skaj. Persona të tjerë kalojnë afër saj, ndërsa pak më tutje, ekipi i Bon Jovi-it duket se po vendos pajisje kamerash.
Bon Jovi i afrohet gruas me dikë tjetër ndërsa ekipi i tij qëndron më larg. Këngëtari pastaj mund të shihet duke përshëndetur dhe duke u mbështetur në parmakët pranë saj.
Pas rreth një minute, Bon Jovi i afrohet gruas dhe me ndihmën e një gruaje tjetër, çifti e kthen gruan në shtegun pedonal të urës. Persona të tjerë afrohen pasi gruaja është e sigurt dhe Bon Jovi e përqafon atë.
Disa minuta më vonë, videoja e policisë tregon Bon Jovi duke larguar gruan nga ura.
Së bashku me videon në rrjetet sociale, Departamenti Metropolitan i Policisë tha: “Faleminderit Jon Bon Jovi-t dhe ekipit të tij për ndihmën që i dhanë një gruaje në Urën Pedonale Seigenthaler të martën në mbrëmje. Bon Jovi ndihmoi për ta bindur atë që të largohej nga skaji mbi lumin Cumberland për të qenë e sigurt”.