Tender milionësh dhëndrit apo vetes
Tenderin milionësh në Ministrinë e Infrastrukturës për sinjalizim dhe mirëmbajtje të pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës vazhdojnë ta përcjellin plot parregullsi. Për këtë tender, që fillimisht fituan kompani të udhëhequra nga njerëz të afërm me politikën, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka dhënë shumë vërejtje dhe vlerësime se u realizua kundërligjshëm. Por, së fundi FaktePlus ka mësuar se në këtë tender janë shpërblyer edhe dhëndurët e zyrtarëve të ministrisë.
Ramadan Mazrekaj është zyrtar i lartë në Departamentin e Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka mësuar se ky zyrtar ka qenë njëri ndër personat e autorizuar për të hartuar specifikat teknike për tenderin e quajtur “Sinjalizimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Republikës së Kosovës”.
Ky tender, i cili peshon rreth 2.2 milionë euro është i ndarë në 8 pjesë apo lote. Dhe në mesin e kompanive që fitoi tenderin, respektivisht lotin e tetë është edhe kompania “Select Prima”, e cila për pronar e ka personin e quajtur Idriz Pergjegjaj.
FaktePlus ka mësuar se Pergjegjaj është dhëndri (bashkëshorti i motrës) i Ramadan Mazrekaj, i cili sic treguam i ka përgatitur specifikat teknike për këtë tender.
Të dhënat tregojnë se kompania “Select Prima”, e cila për pronar me letra e ka Idriz Pergjegjajn, më parë në disa raste është përfaqësuar nga vet zyrtari i ministrisë Ramadan Mazrekaj dhe vëllezërit e tij, dhe kjo kompani ka gjashtë vite që fiton në Ministri të Infrastrukturës tenderët që kanë të bëjnë me sinjalistikën.
Hapja e tenderit milionësh, kontestimet për disa pjesë
Tenderi “Sinjalizimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Republikës së Kosovës” është hapur që një vit e katër muaj. Por, Ministria e Infrastrukturës e shkeli disa herë ligjin kur shpalli fituesit dhe shumë pjesë apo lote u gjykuan në Organin Shqyrtues të Prokurimit për disa muaj.
“Selct Prima” u shpall fitues i këtij tenderi për tri lote; 2, 3 dhe 8. Por, me ministrinë nënshkroi vetëm një kontratë, atë për lotin 8.
Disa pjesë të këtij tenderi u fituan edhe nga kompani të tjera, por loti 2 dhe 3 së bashku me disa lote tjera ndodhën në OSHP ka disa muaj.
“Select Prima” është e dhëndrit apo zyrtarit Mazrekaj ?!
FaktePlus ka dërguar pyetje në zyrën për informim të Ministrisë së Infrastrukturës për të mësuar se sa kontrata i ka nënshkruar deri më tani kompania “Select Prima” me ministrinë, dhe se cilat janë lidhjet e zyrtarit Ramadan Mazrekaj me këtë kompani. Por, deri më tani kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.
Po ashtu, as në Organin Shqyrtues të Prokurimit, nuk kanë dashur të flasin se cili person e ka përfaqësuar kompaninë në këtë institucion në kohën sa po mbahej gjykimi për tenderin.
Mirëpo, FaktePlus ka gjetur se gjatë gjykimit të tenderit në OSHP, si përfaqësues i kompanisë “Select Prima” ishte paraqitur Emrush Mazrekaj , i cili është vëllai i zyrtarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Ramadan Mazrekajt. Kjo dëshmohet edhe nga procesverbalet e OSHP-së, e të cilat i ka parë FaktePlus.
Fillimisht, kompania “Select Prima”, figuron si biznes i shuar në emrin e Ali Aliaj, por që ishte rihapur përsëri me 14.08.2014 për t’u paraqitur si person i autorizuar Idriz Pergjegjaj, dhëndri i Ramadan Mazrekajt.
Kurse vet zyrtari Ramadan Mazrekaj në vitin 2013 kërkonte këshilla (në një faqe të internetit menaxhimi.com), se si të bëhej menaxher i suksesshëm. Në kërkesën e tij, bërë mësuesit të menaxhmentit që administronte këtë faqe, figuronte edhe emri i kompanisë “Select Prima”.
“Pershendetje i nderuari Biordi Lundra, kam nevoj se pari te behem menazher dhe me pas te shoh…shpresoj te vazhdojme me ate qe kemi filluar, kerkojme ndjese pasi ishim jshte programit tone te zene, Respekte Ali ALIJAJ, N.SH Select Prima- PrishtinëDate: Tue, 30 Apr 2013 10:29:34 +0000 To: [email protected]”, thuhet në postimin që kishte bërë Mazrekaj në këtë faqe të internetit.
Fitues në tender edhe kompani të biznesmenëve të afërm me politikanët
Shpërblimi i këtij biznesmeni nga ministria që udhëhiqet nga Pal Lekaj ishte bërë vetëm pak ditë pasi ai ishte dekoruar me medaljen “Urdhëri i Skënderbeut” nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Si do qoftë, më vonë u vërtetua se kompania “Arbotec” ishte shpërblyer kundërligjshëm, pasi OSHP-ja gjeti shkelje, dhe kjo lëndë është akoma në rivlerësim./FaktePlus