Haradinaj e dekoron me medalje, Lekaj e shpërblen me tender
Nga Mentor Buzhala
Biznesmenë të afërm me politikanët po vazhdojnë të marrin tenderë në institucionet publike. Madje, kësaj radhe nuk ka qenë problem që Ministria e Infrastrukturës të shpallë fituesin në një tender me vlerë rreth 2.2 milionë euro, për të cilin pati disa anulime e korrigjime dhe në fund Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e vlerësoi si të realizuar kundërligjshëm.
Sipërmarrësi i njohur Hektor Beqiri që vepron në Gjermani me kompaninë “Belfox” së fundmi u “shpërblye”me tender nga Ministria e Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga Pal Lekaj i AAK-së, shkruan FaktePlus.
Biznesmeni Beqiri tenderin në Kosovë në vlerë milionëshe për sinjalizim dhe mirëmbajtje të pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës, e mori me kompaninë që mban emrin “Arbotec”.
Shpërblimi me tender erdhi pak javë pasi biznesmeni u dekorua me medaljen “Urdhëri i Skënderbeut” nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili mes tjerash kishte vlerësuar se Kosova është me fat që ka sipërmarrës të suksesshëm, investimi i të cilëve dinamizon zhvillimin ekonomik të vendit.
OSHP thotë se tenderi u realizua kundërligjshëm
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), e njohur edhe si “Gjykata e tenderëve” zbuloi se tenderi në fjalë që peshon rreth 2.2 milionë euro, dhe është i ndarë në disa pjesë, u realizua kundërligjshëm.
Më saktësisht OSHP gjeti se pikërisht pjesa e tretë e tenderit, ku ishte fitues kompania e Hektor Beqirit “Arbotec” ishte realizuar kundërligjshëm nga Ministria e Infrastrukturës.
Për të gjitha këto FaktePlus ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Infrastrukturës, zyrtarët e së cilës nuk kanë dhënë përgjigje për disa ditë me radhë.
Procedurat dhe historia e tenderit
Tenderi që parasheh rregullimin dhe mirëmbajtën e sinjalistikës në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës është në procedura të realizimit që një vit nga Zyra e Prokurimit të Ministrisë. Ky tender, vlera e parashikuar e kontratës për të cilin është 2 milionë e 200 mijë euro, që nga gushti i vitit 2017 ka dështuar në disa iniciativa.
Fillimisht, Ministria e Infrastrukturës më 4 gusht 2017 kishte bërë “njoftim për kontratë”, por në muajin shtator të atij viti e stopoi tenderin, duke bërë katër herë radhazi në kohë të ndryshme “njoftim për korrigjim të gabimit” dhe në fund po atë muaj e kishte nisur nga e para këtë tender, duke bërë “njoftim për kontratë”.
Mandej, stopimi i radhës për tenderin erdhi në prill të 2018, duke bërë “njoftim për korrigjim të gabimit’ dhe më 26 qershor të këtij viti Ministria bëri “njoftim për dhënie të kontratës”, ku edhe i shpalli fituesit e tenderit.
Pastaj më 24 gusht 2018, Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Infrastrukturës, ka bërë njoftim për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit (anulon lotin 2 dhe 3), duke marrë për bazë vendimin e OSHP-së. Por, të njëjtën ditë kjo zyrë e prokurimit ka bërë njoftim për “dhënie të kontratës”, duke shpallur fitues përsëri kompanitë e njëjta për pjesën e dytë dhe të tretë.
Kush e fitoi tenderin
Tenderi në fjalë që peshon rreth 2.2 milionë euro, është i ndarë në disa pjesë.
Për këto lote apo pjesë janë fitues këto kompani:
Për pjesën e dytë u shpallën fitues kompania “Selekt Prima” SHPK, me vlerë të përgjithshme të kontratës 0,98 euro për njësi.
Për pjesën e tretë u shpallën fitues kompanitë në konsercium “Arbotec” SHPK dhe N.P.G. “Malsija”. Vlera e përgjithshme e kontratës 3,66 euro.
Pjesën e pestë e ka fituar kompania “RSM COMPANY” SHPK, me vlerë të kontratës 4.37 euro për njësi.
Për pjesën e tetë është shpallur fitues kompania “SELECT PRIMA” SHPK. Këtu vlera e përgjithshme e kontratës figuron 782,93 euro.
OSHP pritet të ketë ende punë në këtë tender
Para pak ditësh OSHP-ja gjeti shkelje ligjore në këtë tender dhe urdhëroi Ministrinë që lëndën ta kthejë në rivlerësim për pjesën e dytë dhe të tretë, ku në pjesën e tretë fitues ishte edhe kompania e biznesmenit Hektor Beqiri.
Vendimi i OSHP-së erdhi pas shqyrtimit dhe miratimit të shumicës së ankesave nga kompanitë garuese, “ITIK” nga Peja dhe konsorciumi i kompanive “Dorearti” & “Beni Com”.
Sipas OSHP-së ekzaminimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 të Ligjit të Prokurimit Publik dhe njëkohësisht nuk është respektuar edhe neni 60 i Ligjit, respektivisht kriteri kryesor për dhënie të kontratës atij me çmimin më të ulët.
“Obligohet autoriteti kontraktues që gjatë rivlerësimit të ofertave dhe në të ardhmen t’i përmbahet në detaje të gjitha dispozitave të LPP-së dhe kërkesave të dosjes së tenderit dhe të njoftimit për kontratë. Njëkohësisht obligohet autoriteti kontraktues ta respektojë vendimin e Panelit shqyrtues”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Autorit Kontraktues-Ministria e Infrastrukturës e bëri rivlerësimin e këtij tenderi dhe shpalli fitues operatorët e njëjtë për pjesën e dytë dhe të tretë. Përsëri kompania “I.T.K” dhe një tjeter janë tankuar në OSHP, duke pretenduar se gjatë rivlerësimit të pjesës së dytë u shkelë ligji disa herë nga ana e Ministrisë. OSHP do të mbajë përsëri seancë lidhur më këtë tender.
Biznesmeni Beqiri mik i mirë me politikanët
Hektor Beqiri më parë ishte parë në krah me zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe fotografohej si mik i vjetër me presidentin Hashim Thaçi. Por së tashmë ky biznesmen ka një afrim edhe me liderin e AAK-së, kryeministrin aktual Ramush Haradinaj, të cilin e kishte vizituar në Francë gjatë kohës sa mbahej në arrest. (Foto) /FaktePlus