Unë e mbyta vajzën
Shkruan: Adriatik Kelmendi
Çdo e dhjeta shtatzëni në pritje të lindjes së foshnjës femër përfundon me atë që mund të përshkruhet në statistikat që flasin për gjinicid. Në Kosovë i vrasim vajzat për shkak se janë – vajza. Ose, edhe më keq, nuk i lejojmë as të vijnë në jetë, për shkak se janë – vajza
SA FËMIJË I KI?
Njo e kam!
E çika a ki?
Po, valla, tri!
Mund të tingëllojë e çuditshme, por këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë huqje gjuhësore. Ka të bëjë me huqje truri. Biseda të këtilla do të ketë pasur mundësi secili të dëgjojë në Kosovë, sidomos në rrethet rurale të vendit.
Djali, duke u parë si trashëgimtar i “linjës së gjakut”, është mbajtur edhe si i denjë për të mbajtur epitetin e fëmijës. Vajzat, duke qenë se do të martohen “në derë të huaj”, në disa familje nuk janë trajtuar si fëmijë të mirëfilltë.
Gjithsesi, ka të atillë që kur i lexojnë këto fjali do të mundë të kundërshtojnë. Të thonë se kjo nuk është e vërtetë. Se është një arkaizëm, i cili nuk mund të shfaqet në shoqërinë tonë edhe në ditët e sotme.
Madje mund të ketë edhe të atillë, të cilët mund të akuzojnë se kjo është një njollë të cilën na e kanë vënë të huajt për të na paraqitur si të prapambetur.
Natyrisht, do të ishte shumë më e lehtë sikur të ishte vetëm keqkuptim, ose tendencë qëllimkeqe. Fatkeqësisht, e kundërta sot provohet statistikisht.
Në Kosovë i vrasim vajzat për shkak se janë – vajza. Ose, edhe më keq, nuk i lejomë as të vijnë në jetë, për shkak se janë – vajza.
RAPORTI I AGJENCISË së Statistikave të Kosovës, i bërë publik para pak ditësh, është drithërues. Pak a shumë, çdo e dhjeta lindje e fëmijës së gjinisë femërore në vend ndalohet.
Raporti “Gratë dhe burrat në Kosovë” për vitet 2016-2017 tregon se koeficienti gjinor është se për çdo 111.2 meshkuj janë 100 femra të lindura.
Kjo çon te dyshimet se çdo e dhjeta shtatzëni në pritje të lindjes së foshnjës femër përfundon me atë që mund të përshkruhet në statistikat që flasin për gjinicid (gendercide). Gjinicidi nënkupton vrasjen sistematike të pjesëtarëve të një gjinie të caktuar.
Në kohërat moderne, kur teknologjia ka mundësuar që të hetohet gjinia e foshnjës, ende pa dalë jashtë trupit të nënës, ka bërë që disa persona ta kenë në duar të vendosin nëse duan ta lejojnë që foshnja e gjinisë së caktuar duhet të vijë në jetë, ose duhet abortuar.
Kosova në këtë mes renditet më së larti në rajon, ngjashëm me Shqipërinë, me rreth 110 meshkuj për 100 femra të lindura, teksa mesatarja e Bashkimit Evropian është 106.
Ekspertët demografikë vërejnë se si rezultat i mosbalancimit të raportit gjinor mund të ndodhin disa pasoja në shoqëri, siç është edhe vështirësia më e madhe e meshkujve për t’u martuar. Mirëpo në rastin e Kosovës, ku emigrimi më i madh është i gjinisë mashkullore, kjo pastaj mund të balancohet.
SIDOQOFTË, NËSE ka diskriminim gjinor që para lindjes në një shoqëri, është e pritshme që kjo të qëndrojë edhe përgjatë gjithë jetës.
Kosova në letër është një shtet që angazhohet dhe garanton barazinë gjinore – si gjendje e mundësive të barabarta mes grave dhe burrave, për detyra dhe të drejta në pozitat familjare, profesionale e shoqërore – por kjo nuk vërtetohet edhe në praktikë.
Shteti ynë ka adoptuar shumë ligje dhe ka nënshkruar plot dokumente të detyrueshme ndërkombëtare që flasin për garancitë e barazisë mes gjinive dhe ndalojnë diskriminimin gjinor, mirëpo statistikat sërish e tregojnë pasqyrën e vërtetë – atë të pabarazisë turpëruese.
Duke filluar nga organi më i lartë përfaqësues, i cili, ndonëse me ligj detyron që çdo e treta kandidate për deputete në Kuvend të jetë grua, dhe ku asnjëherë nuk është arritur që një grua më tepër të jetë parlamentare më shumë sesa e përcakton kuota. E për të vazhduar te numri i grave të punësuara, i cili, sipas ASK-së, gjen se në vitin 2017 ishte 36.6 për qind për gratë kundrejt 28.0 për qind për burrat.
Kurse për të qenë edhe më ilustruese pabarazia gjinore, mjafton të merret parasysh se vetëm 16 për qind të pronave të paluajtshme në Kosovë janë të regjistruara në emër të grave, sërish larg më e ulëta në rajon, ku për shembull Shqipëria ka 29 për qind, kurse Serbia 49 për qind të pronave në emër të grave.
PSE PO BËRTET “O, kuku, nonë”? – e kishin pyetur atë tipin që e kishte vetëm një djalë e tri vajza.
Se nona më don më së shumti! – ishte përgjigjur. /koha.net