Pas kualifikimit, Liverpooli merr një goditje tronditëse
Liverpooli ka konfirmuar se mbrojtësit Joel Matip dhe Trent Alexander-Arnold kanë pësuar lëndime gjatë fitores ndaj Napolit 1-0 në Ligën e Kampionëve të martën mbrëma.
Matip e dëmtoi krahun pas një përplasjeje në fund të ndeshjes që Liverpooli e fitoi 1-0 në “Anfield”, para se Alexander-Arnold e la takimin duke çaluar dhe u zëvendësua nga Dejan Lovren në kohën shtesë të takimit, transmeton Gazeta Express.
Mediat britanike tani raportojnë se Matip u dërgua në spital për t’iu nënshtruar ekzaminimeve, edhe pse trajneri i të kuqve, Jurgen Klopp, nuk qe në gjendje t’i konfirmojë këto lajme kur u pyet nga mediat pas ndeshjes.
Ai, megjithatë, e konfirmoi se mbrojtësi i krahut i Anglisë Alexander-Arnold do të vlerësohet nga mjekët pas dëmtimit që e pësoi në këmbë.
“Nuk jam i sigurt. Askush s’më tha asgjë për krahun e Joelit, prandaj shpresoj se kjo është shenjë e mirë”, tha Klopp.
“Trent mori një goditje në këmbë. Nuk jemi të sigurt se çfarë është saktësisht. Por i dhemb”, shtoi ai.