A e kanë shqiptarët e Maqedonisë “Kashogin” e tyre
Kashogi i shqiptarëve të Maqedonisë, me shumë vështirësi, paska arritur të dalë i gjallë nga zyrja e institucionit ku vlon krimi dhe korrupsioni. Prej tij, sipas informacioneve jo të konfirmuara mirë, meqë “Kashogi” shqiptar refuzon çdo kontakt si pasojë e traumës që ka përjetuar pas masakrimit shpirtëror që ia paskan bërë, është kërkuar që të marrë mbi vete gjëra të denja për të imoralshmit, me qëllim që institucioni të shplahet nga të bëmat e tmerrshme që po shpalosen dita-ditës. Natyrisht, njeri me dinjitet më përpara pranon masakrimin monstruoz, sado që të jetë shpirtëror e psikik.
Shkruan: Qani Q. Shaqiri
Në Maqedoni gazetarët asnjëherë nuk kanë qenë në pozitë dinjitoze, siç i kanë kolegët e tyre në shtete demokratike. Nëpër këto shtete, nga gazetarët më të respektuarit janë gazetarët që u bëjnë oponencë pushteteve perkatëse. Në Maqedoni më të respektueshëm dhe me autoritet janë gazetarët oborrtarë, aparatçikët, ata që ua fërkojnë topet pushtetarëve. Gazetarët opozitarë çuditerisht “vdesin” (rasti N. Mlladenov), apo, më e lehta, burgosen (Kezharovksi, Bozhinovski), apo, fare më e lehta, shantazhohen, kërcënohen, injorohen duke u shërbyer me lloj-lloj shpifje, akuza të fabrikuara, trillime…
Pas rastit “Kashogi”, masakrës monstruoze në zyret e konsullatës arabe në Turqi, bota mbarë ka përfunduar në konstatim se, obskurantistëve, diktatorëve dhe kriminelëve të pushtetshëm, nuk duhet qëndruar “lepe-peqe” në raport me gazetarët mbi të cilët ushtrohet tortura psikike apo edhe fizike, deri në masakrim. Gazetaria është punë fisnike, gazetarët janë të fisshëm, pasqyra e demokracisë së një shteti dhe, si të tillë duhet të gëzojnë respektin e pahamendësuar nga tërë shoqëria, sidomos nga pushtetarët.
Po në Maqedoni – a e kanë shqiptarët rastin e vet “Kashogi”! Fatkeqësisht po! Fatmirësisht, Kashogi i shqiptarëve të Maqedonisë, me shumë vështirësi, paska arritur të dalë i gjallë nga zyrja e institucionit ku vlon krimi dhe korrupsioni. Prej tij, sipas informacioneve jo të konfirmuara mirë, meqë “Kashogi” shqiptar refuzon çdo kontakt si pasojë e traumës që ka përjetuar pas masakrimit shpirtëror që ia paskan bërë, është kërkuar që të marrë mbi vete gjëra të denja për të imoralshmit, me qëllim që institucioni të shplahet nga të bëmat e tmerrshme që po shpalosen dita-ditës.
Natyrisht, njeri me dinjitet më përpara pranon masakrimin monstruoz, sado që të jetë shpirtëror e psikik. Mjetet torturuese nuk paskan qenë sharra, gërshërët, çekiçi dhe lëngjet acidike. Thjesht, në torturën masakruese qenkan përdorur elementa policorë nga ato të shteteve me diktaturë të eger.
“Kashogin” shqiptar të Maqedonisë sot e kemi të gjallë, por, nën presionin e shumë kërcënimeve se mund të likuidohet në çdo moment! Ai meqë përcillet që nga dera e shtëpisë nga kriminelë e vrasës me pagesë, paska vendosur që mos të dalë nga shtëpia për një kohë të pacaktuar. Këtë ia kanë kërkuar nga institucioni ku ka punuar. Tash e tutje, i paskan thënë, çfarëdo shkrimi që mund të dalë kundër institucionit, ia dinë adresën! Pasojat mund të jenë tragjike.
Në shoqërinë shqiptare, në Maqedoni, më i rëndësishëm ëshë një gazetar apo një grusht kriminelësh që abuzojnë me emra pushtetarësh të korruptuar nga institucioni? Edhe atë nga istitucioni i cili i vetmi në botë i dha përkrahje Arabisë Saudite në likuidimin e gazetarit investigativ Kashogi!
Është njerëzore që të urojmë që institucionet përkatëse, organizata e asociacione, por edhe kori diplomatik, te reagojnë paraprakisht, para se të na përsëritet në mënyrë origjinale monstroziteti që do na e sillte rastin “Kashogi2”!