Tensione që grishin marrëveshjen historike?
Taksa prej 100 % për mallrat e Serbisë, reagimet me zemërime nga Beogradi që thonë se Kosova shpalli “luftë tregtare” Serbisë, krijimi i shtabit të krizës në Veri të Kosovës që thirr protestën masive dhe lajmëroi dorëheqjen e 4 kryetarëve të komunave serbe në veri e që pastaj u demantua jobindshëm, pastaj reagimi i shpejt i KFOR-it që dërgoi trupat në Veri për “manovra disaditore”, presionet e BE dhe SHBA-ve që Kosova ta heq taksën prej 100 % dhe refuzimi i Qeverisë Haradinaj që ta bëj këtë, e më në fund edhe përfshirja e Qeverisë së Shqipërisë përkrahë Kosovës në çështjen e taksës dhe ngritjen e tensioneve, na japin një grumbull indikacionesh të qarta se gjendemi në prag të aktivizimit të “mjeteve të tjera” edhe atyre më radikale, që në shikim të parë kanë për synim pengimin e arritjes së marrëveshjes historike, por që në të vërtetë mund të nxisin, si edhe në vitin 2004, efektin e kundërt të përshpejtimit dhe të çngrirjes të “konfliktit të ngrirë”, duke imponuar zgjidhjen finale politike që çon drejt shkëputjes definitive të Kosovës nga Serbia.
Atë që dialogu shumëvjeçar kryesisht teknik Kosovë – Serbi nuk mundi ta sigurojë, marrëveshjen historike të normalizimit të raporteve të ndërsjella, tani duhet të ngritet në nivelin e marrëveshjes politike që nënkupton njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare.
Ajo që po ndodhë sot mbase është tentimi që të përcaktohet çmimit që duhet “paguar” për marrëveshjen historike.
Ekzistojnë dy qasje për marrëveshjen finale. Njëra është ajo e çngrirjes së konfliktit përmes procesit të përmbushjes së kritereve për anëtarësim në BE, ku në fazën finale Kosova dhe Serbia do të bënin marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë me kufij ekzistues të trashëguar nga ish-Jugosllavia. Serbia është e detyruar ta njeh pavarësinë dhe kufijt e Kosovës para anëtarësimit në BE. Ky është qëndrimi i palëkundër i Gjermanisë dhe Angela Merkel që më herët kishte pas përkrahjen nga BE-ja në tërësi si dhe SHBA-të, por që në ndërkohë është dobësuar dhe relativizuar nga disa procese që kanë shkaktuar përhapjen e skepticizmit se a është kjo formulë e mjaftueshme për të siguruar rezultatin e supozuar final si dhe stabilitetin dhe paqen në rajon.
Njëri nga proceset problematik është dobësimi i kohezionit të vetë BE-së, ku perspektiva e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimorë nuk është më gjithaq e qartë. Ndër shtetet anëtare të BE-së pas referendumit të Britanisë se Madhe për largimin nga BE-ja dhe fuqizimit të euroskepticizmit në disa vende tjera kyçe të BE-së, çështja e zgjerimit të BE-së me anëtare të rinj, ka mbetur pothuajse pezull, gjë që në Kosovë, e as në Serbi, nuk ofron më garanca për “përfundimin e lumtur” në afate të arsyeshme të pritjes. Për më shumë, BE-ja ka lejuar që të krijohet një disbalancë e trajtimit të favorizuar të Serbisë në krahasim me Kosovën, duke hapur bisedimet me Serbinë për anëtarësim, ndërkaq që Kosvës nuk iu dha ende as liberalizmin e regjimit të vizave, për çka e kanë fajin edhe vetë politikat përçarëse kosovare. Po kështu, edhe premtimi që Serbia do të mund të anëtarësohet në BE në vitin 2025, ndërkaq që Kosova mbetet çështje e hapur (mbase pas vitit 2030!!!), ka krijuar shqetësimin e arsyeshëm për pasojat. A është e mundshme që anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë të bëhet në këtë mënyrë?? A nuk do të ishte më e drejtë dhe më logjike që dy shtetet, pas pajtimit, të ftohen për anëtarësimin në BE njëkohësisht!?
Brenga tjetër serioze është, nëse perspektiva e anëtarësimit shtyhet mjaft larg, 7 e më shumë vite, se çka do të ndodhë me vetë BE-në deri atëherë? Britania po largohet nga BE vitin tjetër, dhe janë edhe disa shtete tjera që mund ta ndjekin rrugën e saj… Një krizë e re e euros, ose rritja e forcave të djathta euroskeptike, që duan kthimin e sovraniteteve klasike të shteteve kombëtare, do të mund ta rrëzonin BE-në si strukturë model çfarë njihet dhe respektohet tani në vendet e Ballkanit Perëndimore. Dhe kjo shtron frikën: çka tutje pas kësaj? Çka nëse BE-ja shembet para se vjen radha për anëtarësim? Kush do të na pajtojë atëherë dhe për çka, me çfarë çmimi?
Faktori tjetër që në Kosovë shkakton shqetësime është butësia me të cilën Brukseli trajtonte Serbinë rreth lidhjeve të saja të afërta me Rusinë e Putinit, si fuqi e cila hapur synon dobësimin e BE-së. Rusia po punon vazhdimisht për kthimin e Ballkanit në sferë të interest të saj mu përmes kontrollit ekonomik dhe politik të Serbisë, kurse BE-ja i mbyllte sytë duke garuar për mbizotërim në influencë me Rusinë.
Prezenca e Rusisë në Ballkan nëpërmjet Serbisë nuk është çështje që mund të neglizhohet dhe ti lihet një gareje të këtillë joparimore për kontrollin e Serbisë, ku Beogradi luan me dy karta dhe ku njëra prej tyre, ajo e Rusisë, i shërben si fuqi bllokuese për sovranizmin e plotë të Kosovës në KS të OKB. Madje, edhe nëse Beogradi për hir të Brukselit da ta njihte pavarësinë e Kosovën, ajo do të mund të llogariste në atë që Rusia, e edhe Kina, duke e shfrytëzuar të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, të pengojnë antarësimit të Kosovës në OKB duke e mbajtur gjallë, paradoksalisht, një hije të Rezolutës 1244 mbi Kosovën!
Mu ky pështjellim e ka kushtëzuar afirmimin e një qasjeje alternative që çon në arritjen e kompromisit imediat mes Kosovës dhe Serbisë përmes formulës “korrigjim i kufirit”, që si term e ka popullarizuar Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Presidenti Thaçi e hapi me guxim riskant tabu temën e korrigjimit të kufirit Kosovë – Serbi, që u përkthye si ndarje e Kosovës ose shkëmbim territoresh sipas vijave etnike, një projekt i kahmotshëm u serbomëdhenjëve të Beogradit, i “patentuar” nga “babai” i kombit serb, shkrimtari Dobrica Qosiq.
Në të vërtetë Thaçi ka qenë i kujdesshëm duke përmendur vetëm të drejtën e Luginës së Preshevës që të bashkohet me Kosovën, pa adresuar asnjëherë se a do të ketë edhe “korrigjim” anasjelltas në veriun e Kosovës në favor të Serbisë.
Thaçi në të vërtetë, asnjë herë nuk ka shpalos ndonje model as të përafërt të korrigjimit, por e përdorte këtë formulë të korrigjimit për të afirmuar Idenë se nuk duhet pritur afatin e fundit, pas shtatë ose edhe më shumë viteve, që të realizohet njohja e ndërsjellë dhe demarkimiiI kufirit Kosovë-Serbi, por apelonte që kjo të bëhet akti fillestar i marrëveshjes. Afirmimi i sovranitet të plotë të Kosovës duhet të ndodhë sa më parë, me aktin e marrëveshjes finale të normalizmimit dhe pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Me këtë lloj garancie të pajtimit të ndërsjellë paraprak, ardhmëria nuk do të varej më nga luhatjet e mundshme të modelit të Bashkimit Evropian që sot është joshës për të dy vendet, por që nesër mund të mos jetë më model i preferuar e as ekzistues si i tillë!
Çka do të ndodh në realitet nuk mund të parashikohet qartë, pos që me gjasa çdo provokim i dhunës, kushdo që e inicon, do të ketë pasoja. Për këtë politikanët serbë për herë të parë flasin për “rezistencën gandiane”, duke i kujtuar favoret që kanë përfituar Ibrahim Rugova dhe shqiptarët në vitet ’90 me rezistencë paqësore. Por, ka ekstremistë në Veri dhe në Beograd që kërcenojnë me luftë, mbase vetëm me prirje retorike ngase injorojnë faktorin KFOR, përkatësisht kontrollin e Kosovës nga forcat e NATO-s.
Një tjetër pistë e daljes nga ngërçi aktual pas vazhdimisht të tensioneve mund të ishte organizimi i një konference të tipit Dejton ose Rambuje 2, ku me prezencën dhe presionet e fuqive të mëdha do të arrihej pajtimi mes dy vendeve mbi parimet që do të tejkalonin parimet ahtisariane të kushtetutës aktuale të Kosovës.
Për më shumë modeli i marrëveshjes me pajtimin e dy palëve, për të cilin flasin të gjithë me pritshmëri pothuajse admiruese, edhe pse ajo nuk mund të universalizohet, ndoshta shihet si i përdorshëm edhe për disa nga kriza dhe konflikte të ngrira mes shteteve, ku pajtimi i tillë është i arritshëm. Kjo do të thotë se nëse kjo zgjidhje nuk është e preferuar për Bosnjën, ajo mund të shërbejë si model për rastet tjera lur pajtimi I palëve është I arritshëm dhe kjo u konvenon edhe fuqive të mëdha për zvogëlimin e tensioneve kritike që rrezikojnë stabilitetin dhe paqen ndërkombëtare.
Shkëlzen Maliqi