Raporti i Progresit: Rritet numri i të rinjve të papunë, pa arsim apo trajnime
Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2024 ka identifikuar një sërë sfidash për Kosovën në fushën e zhvillimit ekonomik, të cilat vazhdojnë të nxisin nivele të larta të migrimit, pabarazi në tregun e punës dhe progres të kufizuar në infrastrukturë, duke e tkurrur edhe më tej fuqinë punëtore dhe potencialin ekonomik të vendit. Një sfidë tjetër e madhe e tregut të punës është numri i madh i të rinjve të papunë që nuk ndjekin as arsim apo trajnime.
Raporti e nis kapitullin e navigimit të rezultateve në ekonomi me një ngadalësim të rritjes ekonomike në vitin 2023. Ky ngadalësim i atribuohet kryesisht rënies së kërkesës për eksport, një situatë që komplikohet më tej nga një normë e lartë papunësie që prek në mënyrë disproporcionale gratë dhe të rinjtë.
“Rritja ekonomike e Kosovës u ngadalësua në vitin 2023, kryesisht për shkak të kërkesës së dobët të jashtme. Faktori kyç pas ngadalësimit ekonomik ishte kontributi negativ i eksporteve neto në rritje, kryesisht për shkak të një ngadalësimi të dukshëm të rritjes reale të eksporteve.” – thuhet në raport.
Ndërsa BPV-ja e Kosovës arriti një normë rritjeje prej 5.6 për qind në fillim të vitit 2024, ajo vazhdon mbetet prapa fqinjëve të saj, me BPV-në për kokë banori që arrin vetëm 25 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian — më e ulëta në Ballkanin Perëndimor.
Pabarazitë gjinore janë veçanërisht të theksuara në tregun e punës. Norma e punësimit për burrat është rreth 53.4 për qind, ndërsa për gratë në vetëm 19.8 për qind. Ky hendek gjinor është një nga më të lartit në rajon.
“Pavarësisht disa përparimeve, tregu i punës vazhdon të vuajë nga pjesëmarrja shumë e ulët, papunësia e lartë dhe hendeku i madh gjinor. Rezultatet e anketave të fuqisë punëtore vazhdojnë të publikohen me vonesa të mëdha.” – thekson raporti.
Kjo cenueshmëri thellohet nga problemet strukturore të tregut të punës, të cilat raporti i identifikon si pengesa serioze për rritjen gjithëpërfshirëse ekonomike.
Sipas raportit, një përqindje tronditëse prej 33.4 për qind e të rinjve të moshës 15-24 vjeç nuk janë as në punësim, as në arsim apo trajnim — një normë që është më e larta në Ballkanin Perëndimor.
“Hendeku gjinor në punësim (normat janë 53.4% për burrat dhe 19.8% për gratë) është zgjeruar. Në vitin 2023, përqindja e të rinjve (të moshës 15-24) që nuk janë në punësim, arsimim ose trajnim (NEET) u rrit pak në 33.4%, nga 33% në vitin 2022, që është gjithsesi më e larta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.” – thuhet në Raportin e Progresit.
Raporti ka identifikuar gjithashtu “përparim të kufizuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore”, si rezultat i një sërë sfidash në aspektin e sigurisë, mirëmbajtjes së pamjaftueshme dhe kapacitetit të dobët administrativ të institucioneve rregullatore.
Aty theksohen ndër të tjera vonesat në tenderimin e sistemeve të sinjalizimit dhe telekomunikacionit si rezultat i mungesës së financimit.
“Kosova ka bërë përparim të kufizuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Gjatë periudhës së raportimit, nuk ka pasur përparim në autostradën Prishtinë – Merdare apo në ‘Autostradën e Paqes’. Punimet e rehabilitimit për Linjën Hekurudhore 10 kanë vazhduar me ritme të ngadalta. Tenderimi për sistemet e sinjalizimit dhe telekomunikacionet, që është me prioritet të lartë, ende është i vonuar për shkak të mungesës së financimit. Sistemi i transportit vazhdon të përballet me disa sfida në aspektin e sigurisë, mirëmbajtjes së pamjaftueshme dhe kapacitetit të dobët administrativ të institucioneve rregullatore.” – thuhet në raport.