Hoxhaj: Kurti i ka thurur lavde draft-statutit të Asociacionit
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se falë qeverisë Kurti dialogu mes Kosovës dhe Serbisë aktualisht është në ‘vdekje klinike’.
Hoxhaj, po ashtu ka shtuar se Kurti i ka thurur lavde draft-statutit të Asociacionit, pasi sipas tij kur ai ka qenë në Kuvend ka thënë se marrëveshja është në rregull dhe se është një draft i cili nuk e shkel kushtetutën.
“Ne vetëdijshëm i kemi ikur idesë që politika e jashtme të mos reduktohet në dialog, kjo Qeveri e Kosovës e ka reduktuar politikën e saj të jashtme në dialog, por edhe dialogun realisht e kanë vendosur në koma, dialogu sot është në një gjendje të një vdekje klinike sikurse e thonë edhe vetë ndërmjetësit evropian. Ajo çka po ndodh është kjo, Kurti e ka pranuar Marrëveshjen Bazike duke e larguar njohjen e ndërsjellë nga tavolina, duke e larguar marrëveshjen ligjore obligative e cila ka qenë parakusht që kjo të arrihet dhe sot po pretendon që ai do ta zbatonte këtë marrëveshje nëse do të nënshkruhej kjo marrëveshje, ndërsa kur ka qenë në Bruksel dhe në Ohër i ka thënë po kësaj marrëveshje pa e kërkuar nënshkrimin, kur ka qenë tek ne në Kuvend ka thënë se marrëveshja është në rregull dhe nënshkrimi ska qenë kusht, tash e vendos nënshkrimin kusht, Kurti i ka thurur lavde draft-statutit të Asociacionit. Kurti na ka thënë se është një draft i cili nuk e shkel kushtetutën, është një draft në të cilin ai ka pasur rol që mos ta shkel kushtetutën, tash thotë që është diçka që nuk është punë e kryeministrit, prandaj çfarë thotë sot Kurti i cili flet sikur mos të kishte kurrfarë përgjegjësie mendoj se është gjëja më joserioze”, është shprehur Hoxhaj në Tëvë1.