Veteranët thonë se pensioni 170 eurosh nuk iu mjafton ta mbajnë familjen
30 dhjetori- zyrtarisht shënohet si Dita e Veteranit në bazë të Ligjit për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë ditë kujtohet sakrifica, angazhimi dhe kontributi i veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.
Njëherësh kujtohet edhe beteja e parë e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, nga ku nisi edhe rrugëtimi për liri.
Me rastin e shënimit të kësaj dite, kryetari në detyrë i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Fatom Klinaku, në një intervistë për Klankosova.tv tha se gjendja e veteranëve të luftës së UÇK-së nuk është dhe aq mirë.
“Një veterani të luftës i takon në bazë të Ligjit i takon një pension prej 170 eurosh duke ua mohuar edhe të drejtën të punojnë. 170 euro nuk janë të mjaftueshme për ta mbajtur familjen. Gjendja e tyre nuk është dhe aq mirë. Mohimi i të drejtës për punë i bën ata të ndihen të padobishë. Ka shumë nga veteranët që duan që edhe më tutje t’i kontribuojnë vendit”.
Klinaku tha se veteranët nuk kanë pasur përkrahja as nga Qeveria Kurti 1 dhe as nga kjo aktuale.
“Qeveritë e kaluara na kanë përkrahur deri në një masë, duke i dërguar disa nga veteranët edhe në rehabilitim. Nga Qeveria Kurti 1 dhe as nga kjo nuk kemi pasur as edhe një përkrahje. Ne ndihemi të lënë pas dore nga shteti”.
Kreu i OVL UÇK theksoi se kjo ditë e gjen këtë organizatë dhe vendin tonë padrejtësisht pa krerët e Ushtrisë Çlirimtare.
“Kjo ditë na gjen padrejtësisht pa krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pa krerët e organizatës së veteranëve. Ata gjenden në Hagë për diçka që nuk e kanë kryer dhe krerët e organizatës tonë gjenden atje për shkak të një skandali nga Prokuroria Speciale”.
Faton Klinaku shtoi se për të familja e komandantit legjendar Adem Jashari ka qenë motiv për të për ta kapur pushkën.
“Unë kam qenë në Britani të Madhe në atë kohë. Beteja e familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars ka qenë motiv për mua që të vij dhe ta kap pushkën. Jo vetëm për mua por edhe për shumë bashkatdhetarë të tjerë të cilët nuk kanë mundur të rrin duarkryq”.
E ndërkaq Xhevdet Qeriqi. tha se veteranët përballen me probleme të shumta duke filluar nga ato financiare e deri tek ato shëndetësore.
“Veteranët përballen me probleme të shumta duke filluar nga ato financiare e deri tek shëndetësore dhe e kanë vështirë të trajtohen sepse nuk kanë para. Po ashtu ata e kanë të vështirë të i shkollojnë edhe fëmijët e tyre dhe t’i mbajnë familjet e tyre. Nga qeveritë ne nuk kemi pasur përkrahje. Jemi mundur që edhe nëpërmjet grevave dhe protestave të tregojmë për gjendjen tonë të keqe. Tash kjo qeveri muajin e kaluar na ka dhënë nga 100 euro shtesë. Domethënë nga niveli qendror nuk kemi pasur përkrahje”.
Qeriqi theksoi se në qoftë se ka diku pak drejtësi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të lirohen.
“E kemi parë edhe raportin e Dick Martyt, e kemi theksuar disa herë se nuk ka asgjë nga ky raport. Dihet këtu kush ka bërë krime dhe gjenocid. Ka qenë Serbia që i ka bërë këto. Por, fatkeqësisht janë arrestuar krerët e UÇK-së. Në qoftë se ka diku drejtësia ata do të triumfojnë”.
Ai shtoi se ka qenë shumë emocionuese përballja e parë në front me forcat serbe.
“Vërtetë ka qenë emocionues momenti kur unë e kam kapur për herë të parë pushkën me dorë dhe kam dalë në front. Përballja e parë me forcat serbe ka qenë në muajin korrik në vitin 1998. Unë dhe bashkluftëtarët e mi i kemi zhvilluar shumë aksione kundër okupatorit serb.”