Borges dhe Sabato, flasin shqip
Vjen në shqip libri “Dialogë: Borges – Sabato”, një libër i përpiluar nga Orlando Barone dhe i sjellur në shqip nga përkthyesja Orjela Stafasani, e cila njihet si përkthyesja që vitin e kaluar, me librin “Njerëz dhe ingranazhe” të Ernesto Sabatos u vlerësua me çmimin “pëkthyesja më e mirë” nga Ministria e Kulturës e Kosovës.
Dhe edhe ky libër është i përkthyer nga origjinali, spanjollisht dhe vjen i përkthyer shkëlqyeshem.
“Libri “Dialogë: Borges – Sabato” ka temë të lirë. Dy protagonistët e librit kanë lirinë për t’i prekur të gjitha temat e të gjitha kohëve, duke shpalosur idetë për miqësinë, shoqërinë, filozofinë, letërsinë, filmin, teatrin, muzikën, pikturën, arkitekturën, historinë, magjinë, vetëvrasjen, ëndrrën, jetën, vdekjen, antikën, bashkëkohësinë dhe gjithçka tjetër, duke përjashtuar vetëm një temë: politikën.
Dhe, siç do ta shihni në këtë libër, gjithçka mund të shkojë mirë pa atë temë, e cila, si gjarpri i Gjenezës, pati helmuar miqësinë e tyre për rreth njëzet vjet.
Këta dialogë nuk janë kompeticion intelektual, por kontribut gjenial.”, shkruan Ag Apolloni në parathënien e ketij libri të jashtëzakonshëm.
Libri është botuar nga Shtëpia Botuese OM, dega në Tiranë dhe do të prezentohet së pari në Panairin e Librit në Tiranë e më pas edhe nëpër libraritë e Kosovës, Shqipërisë, dhe Maqedonisë/FaktePlus/