Rrugëtimi i Rashit Qalajt me aksione e punë të suksesshme në polici dhe hyrja në PDK
Rashit Qalaj që drejtoi Policinë e Kosovës për rreth dy vite, tashmë i ka hyrë edhe zyrtarisht politikës. Ai nga sot është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe do të jetë në garë për deputet. FaktePlus sjell rrugëtimin e Qalajt në Policinë e Kosovës për 18 vite, kur në vitin 2000 ishte bërë polic në akademinë policore në Vushtrri.
Rashit Qalaj ishte emëruar drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 28 gusht 2018.
Ai ne këtë pozitë ka qëndruar rreth 2 vite e gjysmë.
Emërimi i tij pat ndodh pas kalimit të ish-drejtorit të Policisë, Shpend Maxhuni, si drejtor i Agjencisë për Inteligjencë të Kosovës.
“Sot kam emëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, që bazohet edhe në rangimin sipas Memorandumit të Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar për rekrutimin e bartësve të pozitave të larta shtetërore”, pati thënë atë kohë ish-kryeministri Ramush Haradinaj .
Pavarësisht rrethanave , Rashit Qalaj që nga viti 2018 prej kur u emërua drejtor i Përgjithshëm i PK-së, si triumfues nga pesë propozimet që janë të përcaktuara me ligj, nën qeverinë e Ramush Haradinajt, ai këto dy vite kreu shumë aksione të cilësuara mjaft të mëdha.
Në maj të vitit 2019, ishte nisur një aksion i gjerë në disa rajone të vendit, kundër kontrandës, keqpërdorimit të pozitës zyrtare, dhënies së ryshfetit e shumëçka tjetër, nën urdhërin e drejtorit Qalaj. Prishtina, Peja, Prizreni dhe Mitrovica ishin qytetet kyëce të këtij operacioni, në të cilat që nga ora 5 e mëngjesit e deri në mbrëmje urdhëri kundër kontrabandës u zbatua.
Ndërsa në po këtë vit, një muaj më parë, u nis aksioni tjetër, ai i bastisjes në fshatin e Karaçevës brenda kazinove, ku edhe janë arrestuar disa zyrtarë të Policisë.
Në tentativën për të vënë rend dhe ligj në vend gjë që e kishte nisur pikërisht nga policia, si duket, kryeminstrit nuk iu është dukur mjaftë e arsyeshme vazhdimi i punës nga ana e Qalajt, pozitë kjo që kishte mbetur e zbrazët tash e sa muaj, pasi Shpend Maxhuni ishte emëruar shef i AKI-së.
18 vite kontribut në Policinë e Kosovës
Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj ka dhënë kontributin e tij në sektorin e sigurisë tash e 18 vite, kur në vitin 2000 ishte bërë polic në akademinë policore në Vushtrri.
Pas pak ditësh, më 17 qershor të po atij viti ai kaloi në Stacionin policor të Lipjanit, për t’u graduar si rreshter më 30 maj të 2002-tës.
Pas një viti, më 27 qershor 2003, Qalaj u gradua me gradën toger, kurse me 17 janar 2005 rritet në pozitë, duke u bërë kapiten.
Qalaj, drejtori i aksioneve të rëndësishme të Kosovës i cili u shkarkua nga kryeminsitri Hoti
Po atë vit, më 7 mars 2005 ai vazhdon të përparoj me punën e tij, pasi emërohet komandant i stacionit policor në Ferizaj.
Pas dy muaj, më saktë me 2 maj 2005, Qalaj bëhet shef i operatives rajonale- DRP në Ferizaj, kurse më 25 janar 2006 gradohet si major.
Ai vazhdimisht ndryshonte pozitat, ku bëhej zv.drejtor i departamenteve të ndryshme rajonale të Ferizaj e deri në arritjen e pozitës së fundit që kishte.
I emëruar në gusht të vitit 2018, Rashit Qalaj, është shkarkuar nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës gjatë muajit tetor të vitit të kaluar.
Lajmin për shkarkimin e Qalajt e ka bërë të ditur vetë Zyra e Kryeministrit me një komunikatë për media.
“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në raportin e performancës për drejtorin e Policisë së Kosovës, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti ka liruar nga detyra z. Rashit Qalaj, nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”.
Hyrja në PDK dhe gara për deputet
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo u zyrtarizua nga lideri i PDK-së, Enver Hoxhaj.
Përmes një konference për media, Hoxhaj tha se Qalaj do të jetë tashmë pjesë e partisë dhe se do të jetë në listën kandiduese në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Hoxhaj tha se Qalaj do të bëhet pjesë e programit dhe vizionit të rimëkëmbjes politike dhe se me këtë rimëkëmbje politike sektori i sigurisë dhe zhvillimi i këtij sektori do të jetë prioritet i qeverisë.
“Së bashku me zotin Qalaj do ta kemi programin më të avancuar për Rimëkëmbjen e sektorit të sigurisë, i cili është goditur nga dy qeveritë e fundit. Kosova ka nevojë për Rimëkëmbje të sektorit të sigurisë dhe jo për qeveri që i lënë me ushtrues detyre edhe Policinë edhe AKI-në, në një kohë kur vendi ishte i kërcënuar jashtë dhe brenda.”, ka thënë Hoxhaj.
Qalaj: Jam i nderuar që ju bashkova PDK-së, politika e degradoi Policinë dhe AKI-në
Hoxhaj ka thënë se Rashit Qalaj, me përvojën e tij të madhe në fushën e sigurisë, do të jetë motori i Rimëkëmbjes që PDK do ta sjellë në sektorin e sigurisë.
“Zoti Qalaj nuk e ka thjesht vetëm përvojën 20-vjeçare menaxheriale në Policinë e Kosovës, por ka edhe përgatitijen e lartë profesionale në fushën e sigurisë përmes aftësimit dhe ngritjes profesionale që e ka pasur në Gjermani, Austri, Britani të Madhe dhe ka udhëhequr institucionin më kredibil që ka Kosova. Rimëkëmbja e sektorit të sigurisë nënkupton që këtë sektor do ta ndërtojmë sipas kritereve më progresive që ekzistojnë në shtetet anëtare të NATO-s.Rashit Qalaj ka qenë edhe luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra natyrisht që do të jetë pjesë e Rimëkëmbjes kombëtare për të cilën angazhohemi si qeveri e ardhshme e Kosovës.”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka theksuar se Qalaj është sinonimi i mijëra shërbyesve të sektorit publik të cilët kërcënohen të largohen nga puna për shkak të hakmarrjeve politike të politikanëve autoritarë, prandaj, sot ai po bëhet pjesë e vizionit të Rimëkëmbjes kombëtare.
“Rashit Qalaj me shokë që dikur e rimëkëmbën atdheun me luftën e tyre çlirimtare, sot do ta rimëkëmbin atdheun nga kriza ekonomike që ka ardhur pas 6 tetorit 2019. Unë si kryeministër, Rashit Qalaj dhe tërë ekipi i Rimëkëmbjes do ta rimëkëmbim Kosovën dhe sërish do ta kthejmë epokën e artë të Kosovës kur rriteshin pagat, kur shtroheshin rrugë, kur ndërtoheshin shkolla të reja, kur nuk kishte reduktime të energjisë elektrike dhe kur kishim marrëdhënie të shkëlqyeshme me aleatët amerikanë dhe evropianë. Çdo ditë e më tepër po rritet besimi për PDK-në. Së bashku do ta rimëkëmbim Kosovën dhe do t’ia kthejmë dinjitetin qytetarëve të Kosovës.”, ka thënë Hoxhaj.
Qalaj, në një konferencë të përbashkët shtypi me kryetarin, Enver Hoxhaj, ka dhënë kritika në drejtim të politikës.
“Unë jam i nderuar që nga sot do të jem anëtar i PDK-së, partisë së rimëkëmbjes. Në këtë parti kam pasur dhe kam shumë shokë, të cilët në shumë etapa kanë kontribuar për lirinë e vendit. E kam pasur të vështirë ta merrja këtë vendim dhe të jepja dorëheqjen nga Policia e Kosovës. Mirëpo, filloi një degradim në polici dhe AKI. Por duke parë që nga ky degradim po vjen nga politika, u ndërlidha në politik që të kontribuoj në forcimin e institucioneve të sigurisë dhe politika të mos ndikojë në mbarëvajtjen e punës”, ka deklaruar ai.
Qalaj deri para pak muajsh ishte në krye të Policisë së Kosovës, ndërsa u shkarkua nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Gjatë ditës së djeshme, Qeveria Hoti zyrtarizoi drejtorin e ri të PK-së, Samedin Mehmetin, teksa Qalaj një ditë më vonë zyrtarizoi aderimin në Partinë Demokratike të Kosovës.